Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 06:16

Shkup – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme të 149-të e votoi vendimin për vetshpërbërje, me çka përfundoi mandati i përbërjes së deritanishme parlamentare dhe u hap mundësia për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për vendimin për shpërbërjen e dhomës ligjdhënëse, që e propozoi kryetari i Kuvendit Trajko veljanovski me përkrahje të 79 parlamentarëve, “për” votuan gjithsej 79 deputetë, nuk pati asnjë kundër, as të përmbajtur. Në seancën krahas shumicës parlamentare, morën pjesë edhe deputetë nga partitë opozitare PDSH, DR, PLD, por jo edhe të LSDM-së, PRSD-së dhe PL-së.

Veljanovski paralajmëroi se pas shpërbërjes së Kuvendit, nesër do t’i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen më 5 qershor. Kodi zgjedhor parashikon zgjedhje të mbahen në afat prej 60 ditëve pas shpërbërjes së Parlamentit.

Përbërja e deritanishme parlamentare, ishte e gjashta nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, ndërsa është zgjedhur po ashtu në zgjedhje të përkohshme parlamentare më 1 qershor të vitit 2008.