Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:43

Shkup – Akademiku maqedonas Gjorgji Efremov ka ndërruar jetë të premten në mbrëmje, në moshën 78- vjeçare në Shkup. Ai është i njohur si ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), por edhe njëri ndër hartuesit e planit për ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001.

Efremov doli në sipërfaqe me planin e mbështetur për ndarjen e Maqedonisë, kur ishte në pozitën e kreut të ASHAM. Sipas këtij plani, shqiptarët do të zhvendoseshin në rajonet perëndimore të Gostivarit, Tetovës, dhe Dibrës, të cilat më pas do të bashkoheshin me Shqipërinë. Në shkëmbim, Shqipëria do t’i jepte Maqedonisë qytetin e Pogradecit dhe zonën përreth pranë Liqenit të Prespës, ku jeton një pakicë e vogël Maqedonase.

Ky plan i ndarjes ishte mbështetur në 2001 edhe nga kryeministri i asaj kohe, Lubço Georgievski, por kjo më pas është hedhur poshtë nga pala shqiptare.

Akademiku Efremov është i lindur në Kratovë, ndërsa është i njohur edhe me karrierën e pasur shkencore në lëminë e veterinarisë, duke u njohur me më shumë se 30 punime hulumtuese-shkencore. Akademiku ka thënë se ky shkëmbim duhet të jetë krejtësisht paqësor dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve. Efremov e ka përshkruar planin si një “dokument për shpëtimin e Maqedonisë”. Ndryshe, akademiku i ndjerë ishte edhe pjesë e ekipit shkencor për hartimin e Enciklopedisë Maqedonase, ndërsa ishte propozuar edhe si kryeredaktor për hartimin e Enciklopedisë së re.