Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 00:55

Shkup-Dhjetë minuta para mesnate, me 70 vota për dhe 47 kundër, Parlamenti i Maqedonisë e votoi Qeverinë e re e dalë nga zgjedhjet e 5 qershorit. Nikolla Gruevski, që është kryeministri i gjashtë pas pavarësimit të Maqedonisë, për të tretën herë ka fituar mundësinë e formimit të qeverisë, pasi që partia e tij VMRO-DPMNE fitoi në zgjedhjet e sivjetmë po dhe në 2008 e 2006.
Në përbërjen e re qeveritare, ministër i Punëve të Brendshme do jetë Gordana Jankullovska, atë të MPJ-së do ta drejtojë Nikolla Popovski, Zoran Stavrevski mbetet në resorin e Financave, Vlladimir Peshevski për çështje ekonomike, Mile Janakievski në MTL, Elizabeta Kançevska- Milevska në Kulturë, Nikolla Todorov në Shëndetësi. Në kolltukun e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale do ulet Spire Ristevski, në atë për Shoqëri të Informatikës mbetet Ivo Ivanovski, ndërsa në Bujqësi Lupço Dimovski.
Nga tabori i BDI-së së Ahmetit, Musa Xhaferi do jetë zv/kryeministër për marrëveshjen e Ohrit, me Euro-integrimet do udhëheq Teuta Arifi, me ministrinë e Drejtësisë Blerim Bexheti, me atë të Mbrojtjes Fatmir Besimi, me ministrinë e Ambientit Jetësor Abdilaqim Ademi, me atë të Ekonomisë Valon Saraçini dhe me ministrinë e Pushtetit Lokal do të udhëheqë Nevzat Bejta. Nezhdet Mustafa dhe Hafi Neziri mbeten ministër pa resor. Paraprakisht zgjedhjes së qeverisë së re i ka paraprirë debat i ashpër në relacion pushtet-opozitë.
“Qeveri antishqiptare që degradon shqiptarët dhe mendon vetëm në interesat e veta, jo dhe të qytetarëve”, e kanë karakterizuar kështu deputetët e PDSH-së së Thaçit koalicionin midis Gruevskit e Ahmetit. ”Idealet që premtuat në 2001 i bërët ideale të vdekura. Ku janë pra premtimet për jetë më mirë për shqiptarët, ku janë investimet, ku janë projektet me rëndësi për shqiptarët? Në Kumanovë bërët egzodus me popullatën shqiptare, bile lëvdoheni me të”, ka thënë Orhan Ibraimi nga PDSH-ja.
Por, për BDI-në e Ahmetit këto akuza kanë qenë të pabaza, ndërsa sipas tyre qytetarët e dinë se ata jetojnë më mirë që kur BDI është në qeveri. “Në Likovë për tre vjet ka tre milionë euro investime. Madje argument për këtë është ligji për gjuhën shqipe dhe flamurin që janë realitet për shqiptarët, ndërsa projektet me rëndësi për shqiptarët janë në programin e përbashkët qeveritar”, ka replikuar në mënyrë ekspres Rexhail Ismaili nga BDI. Për Suzana Saliun nga BDI-ja Qeveria e ardhshme është rezultat i vullnetit të qytetarëve i treguar në zgjedhjet e 5 qershorit.
“Programi i ofruar është kryesisht real për kushtet dhe rrethanat në të cilat gjendet shteti, ofron një tërësi në reformat në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe në BE”, ka vlerësuar Saliu dhe shtoi se për herë të parë në pluralizëm programin qeveritar e integron programi i BDI-së, si parti shqiptare. Sipas saj, programi qeveritar do të sigurojë administratë publike bashkëkohore dhe efikase, barazi qytetare, luftë kundër korrupsionit, respektim dhe përparim të lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Ende më shumë do të rritet besimi i qytetarëve në institucionet”, ka thënë Saliu. Nga LSDM-ja e Cërvenkovskit kanë thënë se Gruevski ka shitur patriotizmin për karrige. Ata kanë pyetur se pse i sakrifikon Teuta Arifin dhe Fatmir Besimin në euro-integrime, për atë se do zgjedh emrin dhe i nevojiten fajtor? Emilijan Stankoviq nga kjo parti, madje ka thënë se tani e ka kuptuar nevojën e Gruevskit për të ndërtuar kisha. “Populli thotë se kisha ndërton ai që ka mëkate për t’i blerë ato, pra ju keni shumë mëkate”, ka thënë Stankoviq, duke drejtuar akuza edhe ndaj ministrit të ri të Shëndetësisë Nikolla Todorov. Por, Gruevski ka replikuar se cirqet nga ana e Stankoiviqit nuk meritojnë koment.
Nga ana tjetër, Vllado Gjorçev nga VMRO ka thënë se do të votojë qeverinë pasi që ajo ka siguruar ritje ekonomike, për Blerim Bexhetin se ka qenë kryetar më i suksesshëm i komunës se sa Imer Selmani, për Valon Saraçinin pasi që e ka njohur rreth 12 vite, që kur nuk ishin të relaksuara raportet ndëretnike, për Lupço Dimovskin pasi që ka fituar LSDM-në në mjediset rurale….për Pançe Kralevin pasi që kanë kaluar bashkë 7 mijë kilometra, për Besimin pasi që ka punuar për ardhmërinë e Maqedonisë. Por, Jani Makraduli tha se Gjorçevi në gjithë atë diskurs nuk ka përmendur vetëm Mile Janakievskin.”Ashiqare Frojdi veproi në ndërgjegjen tuaj, dhe unë pajtohem me ju se Janakievski nuk duhet të zgjidhet”, ka thënë Makraduli. (LajmeShqip.com)