Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 15:15

Shkup – Në Maqedoni janë dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese tri iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së interpretimit autentik të Ligjit për amnisti.

Iniciativat pranë Kushtetueses janë dorëzuar nga familjarët e maqedonasve të zhdukur në vitin 2001,  Shoqata “Shpresa” si dhe iniciativa e tretë është bërë nga qytetari Aleksandar Petrushevski, i cili ka pohuar se është anëtar i VMRO-DPMNE-së. Parlamenti i Maqedonisë në fillim të këtij muaji me shumicë votash votoi për interpretimin autentik të Ligjit për amnisti, me ç`rast nëpërmjet kësaj mbylli katër rastet e kthyera nga Tribunali i Hagës, që po procedoheshin nga gjykatat maqedonase dhe që ngarkonin për krime lufte ish-UÇK-në.

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti ka kërkuar madje nga institucionet gjyqësore të respektojnë ligjin për interpretim autentik të amnistisë miratuar kohë më parë nga Parlamenti i Maqedonisë.

Bexheti për mediat ka thënë se i mbetet gjykatës dhe Prokurorisë që konform interpretimit të fillojë edhe ndërprerja e procedurave gjyqësore të lëndëve që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001.

“Mirë është që Parlamenti përfundimisht miratoi ligjin për interpretim autentik. Jam i bindur se institucionet kompetente do veprojnë konform ligjit dhe ata duhet të fillojnë me implementimin e ligjit të cilën e miratoi Parlamenti si organ më i lartë”, ka thënë Bexheti.

Partitë politike maqedonase kanë ndezur skenën politike me akuza dhe kritika lidhur me mbylljen e rasteve të Hagës përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti.  Katër e rastet e Hagës ishin “Zhdukja e maqedonasve në Neproshtenë”, “Ndalimi i ujit të pendës së Likovës për Kumanovën”, “Maltretimi i punëtorëve maqedonas të Mavrovës” si dhe rasti “Udhëheqësia e UÇK-së”.

Marrëveshja për mbylljen e këtyre rasteve u cilësua nga pala maqedonase opozitare si një pazar i arritur midis VMRO-DPMNE dhe BDI. (LajmeShqip.com)