Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 11:14

Shkup – Partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI janë fitues të dëshiruar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Këtë e tregojnë rezultatet nga anketa telefonike e Institutit “Pavel Shatev”, e realizuar për rejtingun e partive politik e që përfolet se është e përafërt me partinë në pushtet VMRO.

Rejting më të lartë, sipas sondazhit, ka partia qeveritare VMRO-DPMNE, me ç’rast pasojnë BDI-ja, LSDM-ja, PDSH-ja dhe Demokracia e Re e Imer Selmanit. Nga politikanët, qytetarët mbështetje më të madhe i japin kryeministrit Nikolla Gruevski, derisa pasojnë Ali Ahmeti, Branko Cërvenkovski dhe Menduh Thaçi.

“Proporcionalisht janë përfshirë të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore, me inkuadrimin e edhe të karakteristikave të tjera relevante demografike të popullsisë si gjinia, mosha, arsimi dhe përkatësia etnike. Stratifikim shtesë është bërë edhe sipas vendit të banimit ku janë përfshirë të anketuar të cilët jetojnë në mjediset urbane, por edhe në ato rurale”, qëndron në kumtesën e Institutit “Pavel Shatev”.

Në bazë të rezultateve nga hulumtimi, Instituti ka përgatitiur edhe simulacion për radhitjen e mundshme të mandatit të deputetëve sipas Modelit zgjedhor të Dontit.

Sipas rezultateve nga hulumtimi, në përbërjen e ardhshme të deputetëve, partitë qeveritare VMRO-DPMNE dhe BDI do të kenë shumicë dominante në Parlamentin e ardhshëm, me gjithsej 70 mandate të deputetëve. VMRO-DPMNE-ja do të fitonte 55 deputetë, BDI-ja 15, LSDM-ja 31, PDSH-ja 7, DR-ja 4, RDK-ja 3, PLD-ja 2, Të bashkuar për Maqedoninë 1, VMRO-Popullore 1 dhe të tjerat 1 mandat të deputetëve.

Partitë për të cilat tradicionalisht votojnë shqiptarët, sipas sondazhit do të fitojnë gjithsej 29 vende në parlamentin e ri, ndërsa partitë më të vogla do të fitonin 5 vende deputetësh. Edhe pse tek partitë me rejting të vogël, lëshimi stratistikor mund të jetë më i madh duke pasur parasysh se mbështetja e tyre është në kuadër të gabimit margjinal e cila është 3 për qind për një lloj të këtillë të hulumtimeve, sipas analizave të Institutit “Pavel Shatev” dhe përvojës së deritanishme numri i përgjithshëm i mandateve të subjekteve më të vogla politike do të lëvizë midis 5 dhe 8 vende deputetësh.

Anketa telefonike është realizuar në periudhën midis 11 dhe 14 prill, ndaj 1.000 të anketuarve në nivel të gjithë territorit të Republikës së Maqedonisë.