Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 14:59

Shkup – Gjithsej 49,3 për qind e qytetarëve kanë mendim pozitiv për presidentin Gjorge Ivanov, 63,4 për qind mendojnë se me nder po e ushtron funksionin, ndërsa 41 për qind janë për rizgjedhje të tij, tregojnë rezultatet nga hulumtimi i mendimit publik që e realizoi Instituti për hulumtime politike – Shkup (IHPSH).

Sipas sondazhit, të realizuar përmes linjës telefonike prej datës 5 deri më 8 të këtij muaji ndaj 1.126 persona, Ivanov ka marrë vlerësim të mesëm për punën e tij të deritanishme, 2,85, si dhe për aktivitetin e tij diplomatik, 3,18.

Siç njoftoi Kabineti i shtetit të shtetit, qytetarët konsiderojnë se prioritet në aktivitetet e presidentit duhet të jenë ekonomia (42,9 për qind), çështja për emrin (13,9 për qind), promovimi i Maqedonisë (11,2 për qind), pastaj integrimet euroatlantike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Presidenti Ivanov, në përgjithësi, sipas 52,8 për qind të të anketuarve i ka realizuar pritjet, 40,1 për qind jo, ndërsa 7,2 për qind për këtë pyetje nuk kanë pasur ose nuk kanë dhënë përgjigje.

Nga politika dhe puna e Ivanovit lidhur me marrëdhëniet ndëretnike, 57,1 për qind e qytetarëve janë të kënaqur 29,9 për qind janë prononcuar negativisht, ndërsa 13 janë të papërcaktuar. Gjithsej 54,9 për qind mendojnë se është pozitive roli i presidentit Ivanov si mediator në dialogun politik midis partive politike para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare, 27 për qind janë me mendim të kundërt, ndërsa 18 për qind janë të papërcaktuar. Prej të anketuarve të përgjithshëm, 36,7 për qind kanë mendim negativ për presidentin Ivanov, 13,9 nuk kanë dhënë përgjigje ose nuk e dinë, ndërsa 43,2 për qind nuk do të mbështetnin mandat të tij të dytë.

Kabineti vlerëson se rejtingu i presidentit është rritur. Sipas hulumtimit të IHPSH-së në qershor të vitit 2009 dhe maj të vitit 2010, perceptim pozitiv kanë dhënë 45 për qind, gjegjësisht 42, për dallim nga hulumtimi i tanishëm i IHPSH-së në të cilën janë prononcuar 49 për qind. Është zvogëluar perceptimi negativ, prej 43, gjegjësisht 49 për qind në 37 për qind.

Vlerësimi i mesëm për punën e Ivanovit, gjithashtu, tregon rritje. Në qershor të vitit 2009 dhe maj të vitit 2010 ka qenë 2,79 dhe 2,59, përkundër tani 2,85.

Ndryshe, sondazhi i IHPSH-së është përgatitur për nevojat e Kabinetit të presidentit Gjorge Ivanov me rastin e dyvjetorit nga inaugurimi i tij.