Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 16:38

Shkup – Mesnatën e të enjtes ka skaduar afati brenda të cilit partitë politike dhe kandidatët e pavarur duhej t’i parashtronin listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Komisionin shtetëror zgjedhor. Pritet që Komisioni sot të kumtojë më tepër hollësi për listat e parashtruara të kandidatëve.

Komisioni shtetëror zgjedhor më 13 maj do të organizojë hedhjen e shortit për përcaktimin e listës së vetme të kandidatëve për zgjedhje të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. KSHZ të enjten kumtoi se deri në skadimin e afatit për kontroll në Listën zgjedhore, atë mundësi e kanë shfrytëzuar 16.727 qytetarë. Gjatë 10 ditëve në vijim duhet të kryhen korrigjimet në bazë të kërkesave të parashtruara të qytetarëve, pas çka më 14 maj Lista zgjedhore do të përmbyllet.

Ndërkohë ka skaduar edhe afati për paraqitjen e mërgimtarëve për votim në zgjedhjet e ardhshme. Deri dje, dëshirë për ta dhënë votën e tyre në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë jashtë vendit kanë shprehur 4.771 persona. Për votim në njësinë zgjedhore 7 “Evropa dhe Afrika” janë paraqitur 2.901 persona, në njësinë zgjedhore 8 “Amerika Veriore dhe Jugore” 1.106 persona, ndërsa në njësinë zgjedhore 9 “Australia dhe Azia” 764 persona. Deputetët nga këto njësi do të zgjidhen me cenzus prej 2 përqindjeve nga votuesit e regjistruar.