Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 12:45

Shkup – Liderët shqiptarë, Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e Rufi Osmani, sipas gjitha gjasave do ta bojkotojnë 8 Shtatorin, ditën e Pavarësisë së Maqedonisë.

BDI do të përfaqësohet në nivel të lartë në këtë manifestim, mirëpo sipas gjitha gjasave jo me liderin e partisë Ali Ahmeti.

“Ende nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë BDI-në në këtë manifestim, por përfaqësuesi do të jetë zyrtar i lartë i kësaj partie”, ka thënë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), me në krye Menduh Thaçi, do ti thotë jo manifestimit. Arsyeja, sipas PDSH-së lidhet me atë se ka mjaft çështje më të rëndësishme se ky manifestim, me të cilat duhet të merren si parti.

“PDSH nuk do të merr pjesë në këtë manifestim, sepse nuk luan rolin e politikanëve të entuziazmuar dhe ka mjaft çështje tjera më të rëndësishme për shqiptarët në të cilat duhet fokusuar. Këto janë arsyet se pse PDSH bojkoton këtë manifestim njëpalësh”, ka thënë zëdhënësi i PDSH-së Agon Ferati.

Paralajmërime të sigurta për bojkot vijnë edhe nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

“Nuk shohim element shqiptar në këtë manifestim dhe për këtë arsye RDK do të bojkotojë atë. Pasi Maqedonia është shtet multietnik, bëjmë apel që edhe partitë tjera të bojkotojnë këtë manifestim monoetnik”,ka thënë zëdhënësi i RDK-së, Armir Ramadani.

Më 8 Shtator, si edhe në ditët rreth festës, do të ketë edhe ngjarje tjera në shenjë të pavarësisë që do të vazhdojnë deri në fund të muajit. Kremtimi do të fillojë në orën 18:00 para Parlamentit, ku kryetari Trajko Veljanoski do t’ia dorëzojë Deklaratën për Pavarësi nga viti 1991 Gardës së RM-së. Atë me defile solemne qo ta përcjellë deri te Muzeu i ri i luftës së Maqedonisë, ku do të vendoset në orën 19:30 nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.

“Programi ka dimension kosmopolit dhe mision që t’i bashkojë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike, ideologjinë, fenë dhe kombësinë. Bashkimi i vërtetë për Republikë të Maqedonisë prosperuese dhe me jetë të gjatë. Ajo i ilustron të kaluarën tonë, të tanishmen dhe të ardhmen… dhe do t’i shfaqë shenjat kombëtare dhe kapacitetet artistike të shtetit”, ka thënë ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska. (LajmeShqip.com)