Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 16:34

Shkup – Gjykata themelore e Shkupit ka dënuar me nga tre muaj me kusht shqiptarët e akuzuar për rastin e incidentit në “Kala” të Shkupit. Këtë vendim Këshilli Penal e ka marrë me kërkesë të Prokurorisë, e cila ka propozuar që të akuzuarit të dënohen me nga 3 muaj burg me kusht në rast se në afat brenda dy viteve nuk bëjnë vepër tjetër penale.

Mes të akuzuarve apostrofohet edhe ish kreu i Lëvizjes “Zgjohu” Artan Grubi i cili nuk kanë qenë të informuar se është ngritur procedurë hetimore nga ana e Prokurorisë.

“Nuk e kam të qartë se si mund të sjellin një vendim të tillë, ne nuk kemi qenë të informuar për asnjë detaj, nuk e kemi të qartë se për ;farë akuze bëhet fjalë askush nuk ka njoftuar për akuzën e as që kemi pasur ftesë që të marrim pjesë në gjykatë në ndonjë proces gjyqësorë”, ka thënë Grubi, duke shtuar se ky është një vendim skandaloz.

Sipas tij, Lëvizja “Zgjohu”, për sonte ka planifikuar të mbajë një takim të jashtëzakonshëm në të cilin do të merren edhe konkluzat në lidhje me vendimin e gjykatës.

Ndryshe, më 13 shkurt në Kalanë e Shkupit u përleshën një grup shqiptarësh dhe një grup maqedonasish. Incidentit të shkurtit në Kalanë e Shkupit i parapriu ndërtimi dhe prishja natën e Kishës në Kalanë e Shkupit.

Që nga 13 shkurti, Kalaja e Shkupit është e mbyllur për qytetarët dhe turistët, ndërsa drejtoria për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore ka paralajmëruar ndërtimin e tre muzeve në Kalanë e Shkupit.