Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 09:16

Shkup – Ka pasuar debat i ashpër mes partive, të martën, në Dhomën legjislative lidhur me interpretimin autentik të ligjit të amnistisë që përmbyll njëherësh rastet e Hagës. Ka qenë LSDM-ja opozitare, që e ka “kall” ambientin politik. Partitë shqiptare, BDI, PDSH e RDK, denjësisht kanë mbrojtur ligjin e amnistisë duke dhënë sqarimet e tyre se pse duhet të përmbyllet kjo çështje.

“Më 2002, kur sillej ligji për amnistinë, neve na ruanin specialcë, ndërsa VMRO ishte në rrugë. Kur më 2004 e sollëm ligjin për ndarje territoriale nga VMRO na gjuanin me gurë. Ajo atëherë nuk ishte moral. Tani kur e shitni shtetin-është moral…”, ka thënë Jani Makraduli nga LSDM.
“Është marrëzi të thirreni në patriotizëm, kur lideri juaj Branko Cërvenkovski ka ngacmuar raportet ndëretnike vetëm të kthehet në qeveri”, ka thënë deputetja e VMRO-së Silvana Boneva. Nga BDI kanë thënë se atë që dëshiron të bëjë LSDM në Parlament, është vetëm një pazar politik. “Dëshironi të mos kalojë interpretimi autentik i ligjit të amnistisë, qeveria të bie, dhe ju në periudhën e ardhshme të bëni qeveri. Atë personalisht nga lideri Ahmeti e ka kërkuar lideri juaj Cërvenkovski”, ka thënë Xhevat Ademi nga BDI.

Ndërkohë, Talat Xhaferi ka rekomanduar opozitën që të ndalojnë në emër të fateve të njerëzve dhe të mos mbledhin pikë politike. Mbështetje ligjit i kanë dhënë edhe dy partitë opozitare shqiptare PDSH e RDK. Dy deputetët Zijadin Sela dhe Izet Zeqiri kanë thënë se partitë e tyre do të mbështesin miratimin e këtij propozimi me të vetmin qëllim – të mbyllen rastet, të cilat kanë për qëllim të burgosin të rinjtë shqiptarë. Madje, Suzana Saliu, nënkryetare e Parlamentit, duke diskutuar për nevojën e interpretim autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti, kërkoi nga të gjithë deputetët që ta mbështesin këtë propozim dhe njëherë e përgjithmonë ta mbyllin këtë çështje. Por, derisa ka zgjatur diskursi për rastet e Hagës, para Parlamentit janë mbledhur familjarë të të rrëmbyerve maqedonas. Ata janë takuar me deputetët e opozitës maqedonase, të cilët u kanë premtuar se do të kërkojnë nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski që t’u lejojë familjarëve që nga galeria e sallës ku mbahet seanca ta ndjekin debatin.
Por, nga kabineti i kryetarit, Veljanovski thonë se deri më tani askush në formën zyrtare nuk ka kërkuar që t’i ndjekë punimet në sallën e Parlamentit, ndërsa edhe VMRO-DPMNE-ja, ka pohuar se deri më tani askush nga familjarët nuk ka kërkuar takim me përfaqësues të kësaj partie. Përveç rastit “Punëtorët e Mavrovës”, me këtë ligj do të përfshihen edhe rasti për “Udhëheqësinë e UÇK-së, Penda e Likovës dhe të zhdukurit maqedonas.