Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 19:04

Shkup – Ndryshimet e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kanë marrë mbrëmë vonë dritën jeshile nga deputetet e Parlamentit të Maqedonisë. Për Ligjin votuan 58 deputetë, ndërsa kundër ishin 27.

Ky Ligj ka nxitur debate të ashpra duke arritur kulminacionin me akuza të ndërsjella midis partive. Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) bllokuan foltoren e parlamentit gjatë debatit për propozim-ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Shkak për këtë ka qenë replika e deputetes së BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja, e cila ka akuzuar PDSH-në se në kohën kur ishte në koalicion VMRODPMNE- në, kishin përgatitur, siç tha, komplot për vrasjen e shqiptarëve.

“Në vitin 2006-2008 ju në koalicion me VMRO-DPMNE-në, në komplot së bashku me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruveski, në qershor të vitit 2008, keni vrarë shqiptarë”, ka thënë deputetja Ermira Mehmeti- Devaja. Ndërkohë, tentimi i kryeparalmentarin Trajko Veljanovski për të bindur koordinatorin e PDSH-së Imer Aliu dhe deputetët e tjetër të kësaj partie që të largohen nga foltorja ka qenë i pa suksesshëm. “Akuzat e Ermira Mehmetit janë serioze, prandaj kërkoj që në emër të grupit parlamentarë të PDSH-së të vjen kryeministri Gruveski dhe të shpjegojë se për çfarë skenari bëhet fjalë”, ka thënë deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.

Deputeti i PDSH-së, Zijadin Sela, dhe ai i RDK-së Izet Zeqiri, kundërshtuan këtë propozim-ligjin duke thënë se këto ndryshime nuk janë në favor të qytetarëve shqiptar, por vetëm në favor të funksionarëve të BDI-së. “Pyes BDI-në se ketë të drejtë për ta folur apo për ta shkruar a do ta kenë edhe ministrat shqiptarë në institucionet e tyre, drejtorët e ndërmarrjeve publike, z ë v e n d ë s k r y e m i n i s t r a t, gjykatësit shqiptarë dhe pushteti lokal. Apo konkretisht, qytetarët shqiptarë a do të kenë të drejtë të paktën ankesat e veta ti bëjë në gjuhën shqipe. Unë them-jo, ndërsa ju më bindni se nuk kam të drejtë”, ka thënë Zijadin Sela, deputeti i PDSH-së.

Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri, madje ka thënë se është shumë e pakuptimtë që të debate për dhe kundër këtij propozimi ligji të zhvillohen mes partive maqedonase VMRO dhe LSDM-së, duke iu sugjeruar atyre të mos të brengosen aspak, sepse siç tha, miratimi i këtij ligji nuk rrezikon kushtetutën apo gjuhën maqedonase.

“Me këtë propozim, mendoj se u jepet një hapësirë që gjuhën shqipe ta përdorin 30 funksionarë shtetëror në Parlament, përkundrejt 600 mijë njerëz popullatë shqiptare, që ky ndryshim i ligjit nuk u jep mundësi atyre që në procedura administrative, gjyqësore, civile , në komunikim me institucionet shtetërore të përdorin gjuhën shqipe dhe të mundet ky komunikim të jetë më i mirë dhe më i mirëfilltë”, ka thënë deputeti i RDK-së Izet Zeqiri. (LajmeShqip.com)