Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:12

Shkup – Rrjedh afati për grumbullimin e nënshkrimeve për propozimin e listës së kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga grupi i zgjedhësve, që filloi më 25 prill, ndërsa sipas librit të afateve të Komisionit shtetëror zgjedhor duhet të përfundojë më 4 maj.

Afati i njëjtë vlen edhe për grumbullimin e nënshkrimeve për propozim të listës së kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga diaspora, duke pasë parasysh atë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për herë të parë do të kenë mundësi të propozojnë kandidatë dhe të votojnë qytetarët e Maqedonisë të cilët jetojnë jashtë vendit.

Listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët e autorizuar të propozuesve duhet ta parashtrojnë në KSHZ më së voni 30 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, përkatësisht deri në orën 24: 00, më 5 maj.

Në pajtim me kalendarin e KSHZ-së, prej 25 prillit e deri më 4 maj është afati gjatë të cilit qytetarët e Maqedonisë mund të kontrollojnë Listën zgjedhore dhe nëse kanë vërejtje, të parashtrojnë kërkesa për shlyerje apo ndryshim të të dhënave.