Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 16:55

Shkup – Rreth 20 emra të funksionarëve janë në arkivin e shërbimeve sekrete. Me letër deri te Drejtoria për siguri dhe kundërzbulim, Komisioni për lustrim është informuar se në arkivin e policisë sekrete janë gjetur të dhëna për më shumë se 20 funksionarë që detyrë kanë pasur të japin deklaratë se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve. Komisioni për lustrim është i njoftuar për këto dhe duhet t’i verifikojë të dhënat e se kush prej gjykatësve të mëparshëm, drejtorëve, politikanëve dhe funksionarëve ka qenë spiun për nevojat e policisë sekrete.

Kryetari i Komisionit për verifikimin e fakteve, Tome Axhiev, ka paralajmëruar se do të ngre iniciativë përpara Komisionit, për të vërtetuar nw mos personat që nuk kanë dhënë deklarata kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Ai ka thënë se ligji parasheh dënime rigoroze për të gjithë personat që nuk kanë dorëzuar deklaratat publike.

“Nga të gjitha institucionet kemi kërkuar dhe kemi marrë përgjigje se sa bartës të funksioneve publike kanë si detyrim të japin deklaratat e tyre me shkrim. Të dhënat ne po hedhim në kompjuter dhe kur do të përfundojë ky proces, atëherë do të ngrisim procedurë kundër të gjithë atyre që nuk kanë respektuar ligjin”, deklaroi kryetari i Komisionit për hapjen e dosjeve, Tome Axhiev.

Ish-ministri i kulturës dhe zëdhënës në njërën nga qeveritë e Branko Cërvenkovskit, Gjuner Ismail, nuk ka dorëzuar deklaratë para komisionit për verifikimin e fakteve se ka qenë bashkëpunëtorë i shërbimeve sekrete. Lajmin e ka konfirmuar vet Ismail, i cili ka thënë se të njëjtën nuk e ka bërë pasi që nuk e njeh ligjin për lustrim e as legjitimitetin e këtij komisioni.

“Ai komision është qesharak, ndërsa ligji antikushtetues. Edhe komisioni edhe ligji janë vetëm një tallje me shtetin juridik dhe unë nuk i pranojë, janë të bëra për të rrënuar shtetin dhe rregullimin e saj juridik”, ka thënë Ismail.

Komisioni për Lustrim deri më tani ka konstatuar se gjashtë persona të cilët kanë bartur poste publike kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, rasti i fundit ishte me regjisorin Vlladimir Millçin për të cili ky komision konstatoi se ka qenë bashkëpunëtorë.

Deri tani si ish-bashkëpunëtor të sigurimeve sekrete kanë rezultuar, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, kryetari i partisë Forcat e majta titiste, Sllobodan Ugrinovski, dy kandidatë për deputetë si dhe një gjykatës i pensionuar. (LajmeShqip.com)