Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 17:02

Shkup – Partia shqiptare opozitare, Demokracia e Re (DR), ka paraqitur të enjten programin e saj zgjedhor para ambasadorit të SHBA-ve në vend, Filip Riker. Në takimin në ambasadën amerikane, Selmani i ka shpjeguar Rikerit se partia e tij përpiqet që qeveria e re, në njëqind ditët e para ta zgjedh çështjen e emrit me Greqinë, të mundësoj anëtarësim të sa më të shpejtë në NATO, hapjen e rrugës drejt Unionit Evropian, të ndërtohet ekonomia, të hapen vende të reja të punës dhe të ndalohet largimi i të rinjve nga shteti. “Ky do të ishte patriotizëm i vërtetë”, ka thënë Selami pas takimit me Rikerin.

“Patëm një takim miqësor dhe shumë përmbajtjesor me ambasadorin e SHBA-së, Riker. Sqaruam pozicionet e Demokracisë së Re në prag të zgjedhjeve dhe ofertën tonë zgjedhore. Rruga nëpër të cilën ecë politika e Maqedonisë, vitet e fundit, më shumë i ngjan një autobusi të mbushur me udhëtarë, por me një shofer i cili tërë kohën shikon në retrovizor e jo përpara. Sot, nesër, tani është koha të ndryshohet ky kurs”, ka thënë Selmani. Po ashtu, bashkë me ambasadorin Riker, ata janë pajtuar se nevojitet realizimi praktik i Marrëveshjes së Ohrit, veçanërisht vlerat dhe fryma e saj për tolerancë dhe kohezion ndëretnik në vend. Me reformat e kushtetues të cilat i ofrojmë, ka shtuar Selmani, “kërkojmë që populli shqiptar mos të jetë vetëm shtetëformues, por faktor i cili do të ndërtojë shtet”, ka thënë kreu i DR-së Selmani. Ai në mënyrë kategorike ka refuzuar zërat se në zgjedhje do të shkojë me partinë e Ahmetit, BDI.

“Ne kemi një koalicion, ai është koalicioni me popullin, votuesit, përkrahësit tanë, ashtu që ne jemi të gatshëm të shkojmë vetë në zgjedhjet që vijojnë. Kemi negociata me disa parti më të vogla politike dhe me organizata në diasporë, Evropë dhe SHBA”, ka theksuar numri një i DR-së.

Përndryshe, Selmani ka thënë se ka ndjenjë se edhe SHBA-të e përkrahin programin e tij, të cilin ai e quajti “Strategji për Republikën e Maqedonisë”.