Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 19:07

Shkup – Regjitrimi i popullsisë që u shty për në gjysmën e parë të muajit tetor ka gjasa që të shtyhet sërish, pasi procesi ka ngecur. Komisioni Shtetëror për regjistrim nuk ka mbajtur asnjë mbledhje që nga muaji mars, ndërsa grupi punues që u formua për të harmonizuar qëndrimet e anëtarëve të komisionit nuk ka arritur asnjë rezultat. Zëvendës kryetari i Komisionit shtetëror për regjistrim, Abdulmenaf Bexheti ka thënëse gjasat për harmonizimin e qëndrimeve dhe fillimin e aktivitetit të regjistrimit në afatin e paraparë janë minimale.

“Problemi është se nuk është bërë përpjekje që të tejkalohen dallimet mes nesh. Ne kemi dallime të mëdha konceptuale në proces dhe për harmonizimin e tyre duhet një kohë më e gjatë, ndoshta edhe procedurë e përshpejtuar për ndryshim të Ligjit ekzistues. Përderisa këto harmonizime nuk janë bërë vështirë se mund të fillojë në kohë regjistrimi i popullsisë pa marrë parasysh se konkurset kanë afate”, ka thënë Bexheti. Sipas tij, nëse ishin tejkaluar këto dallime, afatet për konkurse akoma janë të mundshme.

“Meqë po vonohemi me këto harmonizime, unë nuk shoh ndonjë dritë në perspektivë, kështu që jam shumë skeptik se do të arrijmë ta fillojmë procesin në kohë”, ka shtuar Bexheti. Një muaj më parë përfaqësues të Eurostat ishte në Shkup për të parë se deri ku ka mbërritur procesi i regjistrimit. Bexheti thotë se Raporti i monitoringut të Eurostat-it do të jetë negative. “Ata kanë konstatuar se ka ngecje të madhe të aktiviteteve dhe Raporti i radhës i monitoringut që do të bij nga Eurostat do të jetë shumë negativ dhe atë  posaçërisht me vërejtje për palën maqedonase, të cilët nuk kanë bërë asgjë për të tejkaluar problemin, përkundër vullnetit të mirë të palës shqiptare të cilin ne e treguam. Besoj se raporti do të jetë shumë negativë”, ka shtuar ai.

Meqë tani do të ndryshojë edhe struktura e qeverisë do të dalin edhe pengesa të tjera shtesë. Edhe anëtari i Komisionit Shtetëror për regjistrim Jakup Fetahu, i cili është pjesë e grupit të punës thotë se ka një ngecje të procesit të regjistrimit.

Sipas tij, që nga momenti kur u ndryshua ligji, komisioni nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, ndërsa dy mbledhjet që i mbajti grupi i punës i përbërë nga 5 anëtarë të komisionit rezultuan të pasuksesshme. Ndryshe, në muajin shkurt, Komisioni, pa pëlqimin e anëtarëve shqiptar dhe turq, solli vendim që njëri prej regjistruesve të jetë patjetër maqedonas, pa marrë parasysh strukturën etnike të popullatës. Pas këtij vendimi, anëtarët shqiptar dhe turq lëshuan Komisionin, pasi sipas tyre ky vendim tregon mosbesim të skajshëm. Për procesin e regjistrimit janë ndarë rreth 15 milionë euro. (LajmeShqip.com)