Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 16:11

Shkup – VMRO-DPMNE dhe BDI gjatë fundjavës do të përfundojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar, bëjnë të ditur burime partiake. Gjatë dy ditëve pritet të vazhdojnë negociatat për kompletimin e kabinetit qeveritar në nivel të zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetëror.

Prej të premtes fillojnë negociatat ekipet e dy partive, pasi që dy ditëve të fundit ato nuk janë takuar, për shkak të vizitave të disa anëtarëve jashtë vendit.

Mediat vendore bëjnë të ditur se Ahmeti dhe Gruevski do të nënshkruajnë marrëveshje të koalicionit, në të cilat do të përfshihen pikat e përgjithshme të dy programeve zgjedhore partiake, por mësohet se dy liderët do të nënshkruajnë marrëveshje politike për çështje të hapura që kërkohen të realizohen nga BDI siç janë: mbyllja e rasteve të Hagës nga gjykata e vendit ku akuzohen ish-krerët dhe ish-pjestarë të UÇK-së për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, zgjidhja e statusit të UÇK-së në kuadër të ligjeve, përdorimi më i gjerë i gjuhës dhe simboleve shqiptare, shpërndarja proporcionale e buxhetit për projekte shqiptare infrastrukturore, kulturore, ekonomike, arsimore  si dhe çështje tjera.

Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet dhe do të jetë jashtë vëmendjes publike, por e cila do të ketë afate dhe thuhet se bëhet fjalë për 100 ditët e para të qeverisjes. Në qendër të vëmendjes së mediave janë edhe ndarja e posteve ministrore. Pas largimit të ministrit të jashtëm Antonio Milloshoski nga detyra dhe paralajmërimi për të mos vazhduar me këtë detyrë, si kandidat më i mundshëm përmendet Andrej Lepavcov, këshilltari i politikës së jashtme në kabinetin e kryeministrit Gruevski.  Në postin e zëvendëskryeministres për evrointegrime dy ditët e fundit përmendet emri i nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi, dhe jo kandidatura e Ermira Mehmetit-Devaja.

Për kandidat për zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit janë në lojë dy kandidaturat, pra Abdilaqim Ademi dhe Musa Xhaferi. Në postin e ministrit të mbrojtjes nga BDI bëjnë të ditur se kanë një kandidaturë të rëndësishme, dhe bëhet fjalë për një ish-komandantë të luftërave të UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoni.  Por mediat maqedonase, lakojnë në këtë post emrin e deputetit Talat Xhaferi, i cili më parë ka qenë zëvendësministër i mbrojtjes.

Në postin e ministrit të Drejtësisë përmendet Blerim Bexheti, kryetari aktual i komunës së Sarajit, ndërsa ministër i Ekonomisë mbetet Fatmir Besimi. Për ministritë e ekologjisë dhe pushtetit lokal janë disa kandidatura në lojë dhe mes tyre përmenden në media si Bekim Neziri, Rexhail Ismaili dhe emra të tjerë nga degët e Shkupit dhe Kumanovës. (LajmeShqip.com)