Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 20:33

Shkup – Analistët në Maqedoni mbeten në qëndrimin se gjatë fushatës parazgjedhore nuk pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje por pritet nga Qeveria e ardhshme, cila do që të jetë, të zgjidh atë. Shefi i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski dhe negociatori Zoran Jolevski e kanë bindur ndërmjetësin Nimic se nga pala maqedonase ekziston gatishmëri për arritje të një marrëveshjeje të përbashkët të pranuar nga të dyja palët. ”Miloshoski në takimin e ka informuar Nimicin për ngjarjet më të reja në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë dhe një herë e ka theksuar mbështetjen në përpjekjet e tij drejt gjetjes së një zgjidhjeje për kontestin që Greqia e ka me emrin tonë kushtetues” shkruhet në deklaratën për shtyp të MPJ-së. Sipas analistit Albert Hani, cila do qoftë parti e cila do të vijë në pushtet do të këtë komoditetin e miratimit të vendimeve më radikale.”Sikur Gruevski apo cila do qoftë parti të vijë në pushtet ka shumë mundësi që pas zgjedhjeve të zgjidhin çështjen e emrit duke pasur parasysh jo vetëm trysninë e jashtme të ndërkombëtarëve por edhe atë të brendshme, në aspektin social, varfërisë, papunësisë dhe kushteve të vështira që kërkojnë ndryshime”, ka thënë Hani. Ai ka theksuar se ka dy procese tjera që shkojnë në favor të zgjidhjes së emrit. ”Njëri është procesi i padisë së Maqedonisë në Gjykatën e Hagës dhe tjetri është shtypja e madhe e ndërkombëtarëve. Këto dyja së bashku me zgjedhjet krijojnë kushte për të gjetur zgjidhje. Pas zgjedhjeve situata është e tillë që cila do parti të vijë në pushtet do të ketë komoditet më të madh për të sjellë vendime më radikale, në këtë rast për ndryshim të emrit të vendit”, deklaroi Hani. Sa i përket padisë në Gjykatën e Hagës, analistët janë të mendimit se Maqedonia nuk ndërmerr ndonjë hap konkret për emrin sepse pret vendimin e GJND-së i cili pritet të bëhet publik në vjeshtë. Ndërkaq, ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme e rrisin mundësinë e gjetjes së zgjidhjes për emrin por gjithçka varet na ajo se kush do të vijë në pushtet. ”Me të drejtë, pas zgjedhjeve nëse Gruevski fiton duhet të pranojë propozimin e Nimicit dhe ta nxjerr atë në referendum. Por, njëri variant është që ai ta bëjë mos të jetë referendum i suksesshëm, ndërsa varianti tjetër është që të përsëritet e njëjta si në vitin 2008”, ka thënë Ruzhin. Sipas tij, nëse Gruevski merr shumicën e votave ka gjasa që sërish mos të ndryshojë asgjë në mënyrë thelbësore. ”Kryeministri e ka kuptuar se ndërkombëtarët sugjerojnë por nuk përzihen në problemet e brendshme të vendit. Andaj ai ka gjasa që sërish të koncentrohet me populizëm, të fitojë zgjedhjet por pa zgjidhje konkrete të emrit. Zgjedhjet si proces e rrisin mundësinë për të gjetur zgjidhje të këtij kontesti”, është shprehur Ruzhin. Një muaj para zgjedhjeve, çështja e emrit me Greqinë sërish u aktualizua. Ministri i Punëve të Jashtme Antonio Milloshoski së bashku me negociatorin e palës maqedonase, ambasadorin Zoran Jolevski në Nju-Jork janë takuar me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara (KB) Metju Nimic. Më herët Milloshoski realizoi takim edhe me sekretarin gjeneral të KB-së, Ban Ki-Mun të cilin e ka informuar për rrjedhën e fundit të negociatave me Greqinë. Edhe pas këtyre takimeve nuk kishte asgjë të re përpos frazës së zakonshme në deklaratën për shtyp të Ministrisë së jashtme se Maqedonia mbetet e përkushtuar në përpjekjet e saja për të gjetur zgjidhje të emrit.