Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 09:31

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë pritet që në fillim të javës që vjen të votojë Qeverinë e re, mëson “Lajmeshqip.com”. Mandatari Nikolla Gruevski të premten dorëzoi pranë Parlamentit, propozimet për kabinetin qeveritar dhe programin e ri qeveritar, ndërsa sipas afateve kushtetuese, procesi i votimit duhet të zhvillohet brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit. Burime pranë Parlamentit kanë thënë se kabineti i ri qeveritar do të votohet sa më shpejt, edhe atë që nga fillimi i javës së ardhshme, me qëllim të mos humbjes së kohës. Në kabinetin e ri qeveritar prej 22 ministrave, vetëm gjashtë prej tyre janë kandidatë të rinj dhe që për herë të parë ulen në kolltukët e ministrave. Partia shqiptare BDI do të udhëheq me 5 ministri dhe dy poste zëvendëskryeministrore. Pjesa më e madhe e ministrave i takojnë përbërjes së Qeverisë së kaluar. Figura të reja në detyrat e ministrave janë Nikolla Popovski ministër i jashtëm, Valon Saraçini ministër i Ekonomisë, Pançe Kralev ministër i Arsimit dhe Blerim Bexheti ministër i Drejtësisë, etj. Programi qeveritar do të përbëhet nga platformat e VMRO-DPMNE-së dhe BDI. Partia shqiptare theksoi se në programin qeveritar janë përfshirë disa nga pikat kryesore të platformës së tyre politike në planin e përmbyllje së Marrëveshjes së Ohrit, realizimin e projekteve infrastrukturore, ekonomike, arsimore dhe sfera të tjera për shqiptarët në Maqedoni. Pikat e përgjithshme të marrëveshjen kanë si prioritet integrimin e vendit në NATO dhe BE, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimeve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet e mira ndëretnike, investime në arsim, shkencë dhe teknologji informatike. Në mandatin katërvjeçar të qeverisë Gruevski, mund të gjejmë projekte që ishin kryesisht premtime zgjedhore, përfshirë këtu edhe BDI-në e Ahmetit. Disa nga projektet e partnerit shqiptar në qeveri, veç sa kanë filluar realizimin.

Është fjala për miratimin e ligjit për gjuhën shqipe që u votua në seancë parlamentare, flamuri që ka ngelur të votohet të hënën pasi shumica nuk arriti të sigurojë kuorum, derisa interpretimi autentik i rasteve të Hagës me të cilin mbyllen rastet e Hagës, kaloi në komisionin juridik-ligjvënës dhe pret miratimin në seancë. Nga ana tjetër, rritja e ekonomisë dhe punësimeve, integrimet në BE e NATO, lufta e pa kompromis ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit, zbatimi efikas i të drejtës, përmes formave të thella në gjyqësi dhe administratë publike, mbajtja e raporteve ndëretnike bazuar në parimet e tolerancës ndëretnike dhe respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe investimet në arsim, shkencë dhe teknologji informative janë ndër shtyllat kyçe të programit qeveritar të VMRO-së në krye me Nikolla Gruevskin.