Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 19:47

Shkup – Manifesti për reforma dhe zhvillim është programi i ri zgjedhor me të cilën VMRO-DPMNE-ja do të kërkojë mandatin e ri nga qytetarët. Në promovim, lideri i saj Nikolla Gruevski ka thënë se programi është vazhdimësi e “Rilindjes” nga viti 2006-08 e rifreskuar me 1.200 projekte tjera.

“Manifesti për reforma dhe zhvillim është program i perfeksionuar, i bazuar në përvojat pozitive dhe negative nga ‘Rilindja’ e cila duhet të jep rezultate më të përshpejtuara në ekonomi dhe zhvillimin e jetës shoqërore”, ka thënë lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski.

Prioritetet kryesore dhe qëllimet, sipas tij, mbeten identike. Me papunësinë dhe varfërinë VMRO-ja do të luftojë përmes heqjes së tatimit, ndërsa për ndërmarrjet më të vogla dhe ato të mesme me të ardhura totale më pak se 50 mijë euro e cila deri tani sillej në 1 për qind.

”Unë nuk do të mbetem i qetë, derisa nuk e realizojmë atë që kemi premtuar, ndërsa besoni se kur unë nuk jam i qetë, nuk i la të qetë as ministrat, as drejtorët”, ka shtuar kryeministri Gruevski.

Integrimi në BE e NATO edhe më tej mbetet njëra nga prioritetet, por ai nuk ka përgjigje, se, “si do të tejkalohet problemi kryesor-kontesti me emrin”.

”Këto zgjedhje më shumë i gjasojnë referendumit. Në njërën anë do të jetë e jona ‘po’, nga ana tjetër e tyre ‘jo’. Ose reforma dhe zhvillim ose tranzicion i përhershëm”, ka shtuar Gruevski.