Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 06:53

Shkup – Drejtoria për të ardhura publike e Maqedonisë zhvillon procedurë kundër dy personave fizikë për rastin “750. 000 euro në shishe” për të cilin do të japë qëndrim zyrtar gjatë muajit, paralajmëroi drejtori i Drejtorisë për të ardhura publike, Goran Trajkovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas promovimit të sotëm të projektit për formulare elektronike.

Neni 9 a nga Ligji për procedurë tatimore, sipas Trajkovskit, nuk lejon zbulimin e emrave. Procedura për njërin person, njofton ai, po udhëhiqet sipas Ligjit për parandalimin e korrupsionit, ndërsa për tjetrin sipas Ligjit për tatim personal të të ardhurave, gjegjësisht për pronë të marrë të patatimuar.

“Një pjesë e mirë e procedurës tani më është kryer, janë bërë biseda dhe kontrolle me personat fizik, këmbim i të dhënave me administratorë të huaj të tatimit dhe besoj se gjatë muajit mund të dalim me qëndrim zyrtar para opinionit të Maqedonisë cili është konstatimi i DAP-it”, ka thënë Trajkovski.

DAP vepron sipas rastit nga 29 dhjetori i vitit të kaluar pasi kjo gjë i është urdhëruar nga ana e Drejtorisë për parandalimin e larjes së parave.