Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 20:14

Shkup – Në Maqedoni 10, 8 për qind e qytetarëve kanë pasur përvojë me korrupsionin, ndërsa me ryshfet janë  përballur 6, 2 për qind, tregon hulumtimi nga Enti shtetëror për statistikë (ESHS). Kjo është përqindja më e ulët në krahasim me vendet tjera të rajonit.

Sipas anketës, ryshfeti i paguar në vend, mesatarisht përfshin 28.813 denarë apo rreth 470 euro. Paguhen shuma edhe më të mëdha, të cilat ndikojnë në këtë numër. Zakonisht ka ryshfet me para, shumë më pak shpërblehet me shërbim. Megjithatë, nuk është e lehtë të dallohet “viktima” nga ai i cili e ka kërkuar veprimin. Më shpesh u ofrohet ryshfet mjekëve, policisë dhe profesorëve. Ryshfetit i nënshtrohen edhe shërbimet kadastrale. “Secili që do të paguajë ryshfet të paktën një herë, këtë e bën mesatarisht gjashtë herë në vit apo në çdo dy muaj. Në rreth një të tretën e rasteve të ryshfetit, qytetarët vetë e iniciojnë pagesën. Sipas psikologjisë së popullatës sonë, mendojnë se kështu më lehtë do të kryejnë punë apo do ta përshpejtojnë procedurën”, tha drejtoresha e ESHS, Bllagica Novkovska. Pothuajse gjysma e shumës, 45 për qind, paguhet me para të gatshme, ndërsa katër në ushqim dhe pije. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë nuk e konsiderojnë ryshfetin si kriminalitet, por si diçka që duhet bërë. Kjo e veçon përvojën nga vendet fqinje dhe më gjerë. Nga shtetet e rajonit shuma e paguar e ryshfetit është shumë më e ulur, por qytetarët atje më shpesh përballen me korrupsionin.

Korrupsioni në suaza botërore trajtohet si problem urban, por në Maqedoni është prezent barabartë me vendet e zhvilluara dhe në mjediset rurale. Më i përhapur është në rajonet juglindore dhe në Shkup, ndërsa shumë më pak në pjesën jugperëndimore, në Pollogun  dhe në Pellagoni.

Hulumtimi ka treguar se në mënyrë të barabartë janë të involvuar burrat dhe gratë, ndërsa si grup specifik veçohen personat rreth moshës 30 vjeçare. Anketa që u prezantua, është realizuar vitin e kaluar si pjesë e projektit “Korrupsioni në Ballkanin Perëndimor” dhe në të janë përfshirë rreth 3.500 të anketuar.