Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 20:55

Shkup – Bartësit e listave duhet të ulen në tavolinë të përbashkët dhe në atë mënyrë të tregojnë se janë politikanë të pjekur, të cilët angazhohen kundër dhunës zgjedhore dhe fushatave të pista. Me propozim të tillë të shtunën doli Nano Ruzhini, bartës i listës së deputetëve të partisë PLD në njësinë e katërt zgjedhore. Këtë propozim, Ruzhini e propozoi edhe para dy viteve gjatë fushatës presidenciale kur në tavolinë të përbashkët u ulën të gjithë kandidatët për kryetarë të shtetit.

“U bëj thirrje të gjithë bartësve të listave zgjedhore për deputetë në të gjashtat njësia zgjedhore që gjatë këtyre ditëve të ardhshme të organizojnë takime të përbashkëta që më mirë të njoftohen dhe t’i tejkalojnë problemet eventuale dhe mosmarrëveshjet të cilat mund të paraqiten gjatë fushatave, të cilat zyrtarisht startojnë në 16 maj”, ka thënë Ruzhin. Sot, në ditën e Evropës, lideri i PLD-së Jovan Manasievski, bartës i listës së deputetëve në njësinë e parë zgjedhore, do t’i ftoj në tavolinë të përbashkët kundër kandidatët e tij, Nikolla Gruevski, Radmilla Shekerinska, Imer Selmani, Izet Mexhiti, Bekim Fazliu, Risto Gushterov dhe bartësit e tjerë në “njësinë” në të cilën do të luftohet për kryeministër të ardhshëm. Në dy partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM tani për tani ka disponim pozitiv për propozimin e PLD-ës, por gjithsesi nga dy partitë nuk u konfirmua se a do të marrin pjesë kandidatët për kryeministër Shekerinska dhe Gruevski. Deri mbrëmë konfirmim për pranimin e propozimit të Ruzhinit ka pasur vetëm nga Zoran Zaev, bartë i listës të LSDM-ës në njësinë e katërt zgjedhore. Ideja e PLD-ës është që këto takime të realizohen para 12 majit, kur të gjithë partitë do të ulen në tavolinë ta nënshkruajnë Kodeksin për fer dhe zgjedhje demokratike.