Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 07:50

Shkup – Bota, sot, e shënon Ditën e fitores mbi fashizmin. Më 9 maj të vitit 1945, me nënshkrimin e kapitulimit të pakusht të Gjermanisë naziste, zyrtarisht iu vu fundi Luftës së Dytë Botërore, në të cilën morën pjesë 61 vende, me gjithsejt 2,1 miliardë banorë apo 96 për qind të popullatës së botës dhe e cila mori mbi 50 milionë jetë njerëzish.

Kapitulimi i pakusht i Rajhit të Tretë u nënshkrua në Berlinin e shkatërruar, vetëm disa minuta pas mesnate, më 9 maj. Kapitullimin, në emër të Komandës supreme gjermane, e nënshkruan feldmarshali Vilhelm Kajtel, gjenerali Hans Jirgen Shtumpf dhe admirali Hans Georg fon Frideburg. Nga ana e aleatëve marrëveshjen e nënshkruan marshali rus, Georgi Zhukov dhe gjenerali britanik, Artur Teder.

Nga mbi 50 milionë viktima, madje 20 milionë ishin nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, ndërsa mbi 30 milionë ishin civilë. Në kampet naziste u vranë rreth 12,5 milionë njerëz, prej tyre gjashtë milionë hebrenj. Dëmi material nga Lufta e Dytë Botërore vetëm në Evropë u vlerësua në rreth 260 miliardë dollarë amerikanë.

Në Lindjen e Largët, lufta përfundoi madje më 2 shtator të vitit 1945, kur Japonia kapituloi pas bombardimit të Hiroshimës dhe Nagasakit me armë deri atëherë të panjohur, bombë bërthamore.

Maqedonia gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në anën e koalicionit antifashist. Në betejat kundër okupatorëve fashitë, sipas vlerësimeve të historianëve, vetëm në pjesën e Vardarit të Maqedonisë jetën e humbën 33.000 njerëz, duke i përfshirë edhe mbi 7.000 hebrenj nga Maqedonia, të cilët u deportuan në kampin e përqendrimit Treblinkë.

Dita e fitores mbi fashizmin, në Maqedoni sot do të shënohet me disa ngjarje, nga të cilat kryesorja do të mbahet në Shtëpinë e ARM-së në SHkup, në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Lidhjes së luftëtarëve të Luftës nacional-çlirimtare dhe antifashiste të Maqedonisë 1941-1945 dhe qytetarët mbështetës. Në tubim, siç është paralajmëruar, do të flasin zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Vasko Naumovski, ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski dhe kryetari i Lidhjes së luftëtarëve, Todor Atanasovski.

Manifestimi qendror në botë, me rastin e fitores mbi fashizmin tradicionalisht do të mbahet në Moskë ku në Sheshin e kuq do të defilojnë pjesëtarë të gjinive të ndryshme të armatës ruse, si dhe veteranë nga Lufta e Dytë Botërore.