Lajme Shqip Saturday, 13 August 2011 14:07

Shkup – Këshilltari i Presidentit Boris Trajkovski për çështje të sigurisë në vitin 2001, Stevo Pendarovski, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, ka thënë se shteti maqedonas kishte ndikuar në rritjen e numrit të UÇK-së.

Kjo deklaratë e tij konsiderohet si një pranim i rrallë se autoritetet kishin përgjegjësi për situatën e krijuar para dhe gjatë vitit 2001. Pendarovski këtë e ka bërë të njohur duke folur për filmin “10 >” Marrëveshja e Ohrit”.

Po në këtë dokumentar, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, ish lider i UÇK-së, për herë të parë tregon se ka në arkivin e tij materiale të regjistruara të zhvillimeve politike.

Pendarovski ka thënë se me veprimet e saj ishte rritur pakënaqësia tek shqiptarët. “Praktikisht, me veprimet dhe me mënyrën e reagimit shteti maqedonas rriti pakënaqësinë tek pala tjetër, thënë kushtimisht, rriti numrin e pjesëtareve të të ashtuquajturës UÇK dhe praktikisht e futi veten në rrugë pa dalje”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka thënë se shqiptarët u detyruan të veprojnë ndryshe: “Nuk është fshehtësi ta them se unë kam mbi 500 kaseta të aktiviteteve politike që janë zhvilluar në vend, aktiviteteve në parlament, aktiviteteve në fushatat elektorale. Të gjitha këto janë analizuar, janë përpunuar, dhe kur është parë që në këtë mënyrë nuk ka zgjidhje, nuk ka avancim nuk ka përparim, u detyruan shqiptarët të lëvizin ndryshe”, ka shtuar Stevo Pendarovski. (LajmeShqip.com)