Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 15:11

Shkup – Qeveri antishqiptare, që degradon shqiptarët dhe mendon vetëm në interesat e veta, jo dhe të qytetarëve. E kanë karakterizuar kështu deputetët e PDSH-së së Thaçit koalicionin midis Gruevskit e Ahmetit, ku në dhomën legjislative po vijon debati për qeverinë e re.
”Idealet që premtuat në 2001, i bëtë ideale të vdekura. Ku janë premtimet për jetë më mirë për shqiptarët, ku janë investimet, ku janë projektet me rëndësi për shqiptarët? Në Kumanovë bëtë ekzodus me popullatën shqiptare, bile lëvdoheni me të”, ka thënë Orhan Ibraimi nga PDSH-ja. Por, për BDI-në e Ahmetit këto akuza janë të pabaza, ndërsa, sipas tyre, qytetarët e dinë se ata jetojnë më mirë që kur BDI është në qeveri.

“Në Likovë për tre vjet ka tre milionë euro investime. Madje argument për këtë është ligji për gjuhën shqipe dhe flamurin, që janë realitet për shqiptarët, ndërsa projektet me rëndësi për shqiptarët janë në programin e përbashkët qeveritar”, ka replikuar në mënyrë ekspres Rexhail Ismaili nga BDI.

Seanca ka filluar me gjysmë orë vonesë për shkak tw, siç tha kryetari i Parlamentit Trajko Veljkanovski, “problemeve teknike”, ndërsa deputetët kanë vazhduar me debatin rreth përbërjes së re qeveritare dhe platformën e mandatarit Nikolla Gruevski. Opozita ka reaguar për vonesën dhe ka kërkuar që ato gjysmë orë të kopmensohen me ndonjërën nga pauzat e parapara. Sipas rregullores, qeveria e re do të votohet sonte para mesnatës. (LajmeShqip.com)