Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 16:27

Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), ka kërkuar që regjistrimi të mbahet nga 1 deri më 15 gusht të vitit të ardhshëm. Ata këtë propozim për ndryshimin e ligjit për regjistrim e kanë dërguar në Parlamentin e Maqedonisë.

“PDSH, përmes këtij ligji, insiston që regjistrimi të mbahet nga 1 deri më 15 korrik të vitit 2012, e jo siç propozon qeveria, në tetor të këtij viti. Kjo kërkesë e jona bazohet në faktin se një numër i madh i qytetarëve shqiptarë jetojnë dhe veprojnë në shumë shtete të botës, prandaj mendojmë se kjo është periudha më e përshtatshme që edhe ata të kenë të drejtën për tu regjistruar”, ka thënë deputeti PDSH-së, Imer Aliu.

Sipas Aliut, është e qartë intenca se qeveria dëshiron të falsifikojë regjistrimin duke ulur numrin e shqiptarëve dhe, siç ka shtuar, “me propozimin tonë do të mundësohet që ai të jetë më real.

Sipas PDSH-së, numri i qytetarëve shqiptar në diasporë arinë më tepër se 200 mijë.  Sipas Aliut, punët e deritanishme tregojnë qartë se qytetar nuk janë të gatshëm për regjistrimin pasi që sipas tij komisioni nuk ka treguar ndonjë përkushtim dhe sensibilizim të opinionit.

Së fundmi, partia participente në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka kërkuar që procesi i regjistrimit të reflektojë strukturën etnike në vend. Por është e vërtetë se kishte përplasje midis anëtarëve të Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë ku kishin qëndrime diametralisht të kundërta.

Përfaqësuesit shqiptarë dhe turq kanë bojkotuar kohë më parë punën e Komisionit për regjistrim, pasi që nuk u pajtuan që regjistruesit të jenë prej dy bashkësive më të mëdha etnike në komuna. Sipas tyre kjo dëshmon për mosbesim ndaj bashkësive më të vogla etnike. (LajmeShqip.com)