Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:14

Shkup – Liderët e 30 partive politike sot e nënshkruan Kodin e sjelljes për zgjedhje të lira dhe të drejta, që paraqet fillim të fushatës për promovimin e dokumentit të financuar nga USAID-i. Fushata do të zhvillohet me slloganin “Çfarë shenje do të lëmë?”.

Drejtori i NDI Maqedoni, Kris Henshou deklaroi se nënshkrimi i sotëm i Kodit është fillim pozitiv i fushatës, duke pasur parasysh se dokumentin e firmosën të gjithë liderët e partive më të mëdha politike në vend Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Nikolla Gruevski dhe Branko Cërvenkovski.

Në nënshkrimin e Kodit morën pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Filip Riker dhe Peter Sorensen, si dhe përfaqësuesë të tjerë të trupit diplomatik dhe të organizatave joqeveritare në vend.

Kodi nuk është dokument ligjor, por është obligim për sjellje të mirë dhe për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim që të thirren për përgjegjësi të gjithë nënshkruesit e Kodit nëse ka nevojë për atë.