Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 11:11

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë sot do të zhvillojë seancën e dytë të përbërjes së re parlamentare, ku pritet zgjedhja e nënkryetarëve dhe trupave të tjerë parlamentarë.

Në këtë seancë do të vërtetohet numri i nënkryetarëve, ku sipas marrëveshjes dy nënkryetarë do t`i takojnë partive të mazhorancës VMRO – DPMNE dhe BDI dhe njëri nënkryetar nga LSDM opozitare.  Gjithashtu, gjatë seancës do të votohen edhe vendimet për formimin e trupave punuese dhe delegacioneve për bashkëpunim ndërkombëtar.

Në rend dite të seancës do të jetë ndryshimi i vendimit për themelimin e Këshillit Nacional për euro-integrime, ndërsa parashikohet që anëtarët e këtij këshilli të kenë edhe zëvendësit e tyre. Lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e BDI-së përmenden disa kandidatura, mes tyre: Xhevat Ademi, Hajrulla Misini dhe Ermira Mehmeti. Nga ana tjetër, gjithsej 21 trupa punues dhe gjashtë delegacione për bashkëpunim me Parlamentet ndërkombëtarë, do të konfirmohen në seancën e të mërkurës në Parlament, e cila u konstituua para 15 ditëve. Përveç kësaj në rend dite është vendimi për formimin e Këshillit nacional për euro-integrime. Në bazë të këtij propozimi ku janë nënshkruar përfaqësuesit e VMRO-së, LSDM-së, PRSD-së, PAE-s, BDI-së dhe PDSH-së, Këshilli do të ketë kryetar, nënkryetar, 15 anëtarë si dhe 9 zëvendës-anëtarë. Nga komisionet më shumë anëtarë pra 16, krahas kryetarit do të ketë Komision për çështje kushtetuese. 12 anëtarë janë paraparë për Komisionin juridik-ligjvënës, si dhe Komisione parlamentare për mbrojtje dhe siguri, sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, për politikë të jashtme, për çështje evropiane, për financim dhe buxhet, për arsim, kulturë, shkencë e sport, për punë dhe politikë sociale, për pushtet lokal dhe për zgjedhje dhe emërime, i cili veç se është formuar.