Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 18:42

Shkup – Kryetari i Parlamentit, për të mërkurën caktoi seancë, në të cilin duhet të konfirmohet numri i zëvendës kryetarëve dhe të votohen vendimet për formimin e trupave të përhershme punuese, delegacione dhe grupet e deputetëve për bashkëpunim ndërkombëtar. Nga Kabineti i tij, informojnë se ende nuk dihet se për kur mund të caktohet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re. Propozohet që Parlamenti edhe më tej të ketë tre zëvendës kryetarë, si edhe në përbërjen paraprake, ndërsa sipas ligjit, njëri prej tyre  do të jetë nga opozita. Në seancën tjetër do të votohet për vendimet personale, që do të arrijnë si propozim deri nga grupet e deputetëve.

Të mërkurën pritet të merren edhe vendimet për themelimin e trupave të përhershëm punues të Parlamentit dhe për themelimin e delegacioneve, grupeve të deputetëve dhe formave të tjera për realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Për të enjten, sipas paralajmërimeve të deputetëve, do të mund të caktohet seancë e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, ku duhet të konfirmohet përbërja e këtyre trupave dhe delegacioneve.

Në rend dite është edhe ndryshimi i Vendimit për themelimin Këshillit kombëtar për eurointegrime, ndërsa parashikohet që anëtarët e këtij trupi të kenë edhe zëvendës. Në elaborimin e Vendimit thuhet se për shkak të vazhdimësisë në realizimin e kompetencave të tyre, e me qëllim të tejkalimit të dukurive të caktuara të cilat po ndodhin në punën e deritanishme të Këshillit, në përbërjen e Këshillit duhet të parashikohen edhe zëvendës-anëtarë, që në të vërtetë është edhe rekomandim i Këshillit kombëtar.