Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 08:42

Shkup – Dy ditë pasi që Parlamenti miratoi ndryshimet e ligjit për radiodifuzion, të enjten, përmes një letre deri te kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski, kanë reaguar nga OSBE-ja. Ata kanë kërkuar nga Veljanovski që të bëhet revizion i procedurës për ndryshime në Këshillin radiodifuziv, ku tani në vend të 9, Këshilli do ketë 15 anëtarë.

Nga OSBE konsiderojnë se mënyra me të cilën janë sjellë ndryshimet, janë jo transparente dhe jo të vlefshme. Sipas tyre, është i nevojshëm debat i gjerë për amendamentet e propozuara. Opozita edhe të enjten në Parlament ka reaguar për arsyet se pushteti dhe kryeparlamentari kanë heshtur për letrën që kanë marrë nga OSBE-ja para tre ditësh. Me këtë rast, spikeri Trajko Veljanovski ka ndërprerë seancën dhe ka ftuar koordinatorët në marrëveshje pasi që i ndali mikrofonin deputetit të LSDM-së Emilijan Stankoviq. Por, numri një i Parlamentit Trajko Veljanovski ka mohuar se ka marrë letër me përmbajtje të tillë dhe ka kërkuar nga deputeti socialdemokrat Stankoviq ta lëshojë foltoren. Ndryshe, nga opozita kanë thënë se nga viti i ardhshëm, me ndryshimet në ligjin për radiodifuzion, Parlamenti do të shqyrtojë raporte partiake.