Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:37

Shkup – Maqedonia i takon Evropës dhe është interes evropian që ajo sa më shpejtë t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hungaria si kryesuese edhe më tej do ta mbajë lart në rend dite fillimin e këtyre negociatave sa më shpejtë, deklaroi kryeministri hungarez, Viktor Orban pas takimit të sotëm në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Orban theksoi se Maqedonia tashmë gjashtë muaj është vend me status të kandidates që do të thotë se nuk ka dyshim se meriton të bëhet anëtare, për çka BE-ja është sinqerisht e interesuar, por është e penguar nga një gjendje jonatyrale, e cila askujt nuk i përgjigjet.

“Nuk është punë e imja të marr qëndrim për marrëdhënuet bilaterale të Maqedonisë me një shtet tjetër, por puna ime është t’i përfaqësoj interesat e Evropës, ndërsa interesat e BE-së janë që Maqedonia sa më shpejtë të bëhet anëtare e Unionit. Mendoj se këto bisedime duhet të fillojnë sa më parë”, theksoi kryeministri hungarez. Sipas tij, benç-market treguan se Maqedonia qëndron shumë mirë dhe nëse i mundësohet t’i fillojë negociatat, do të ketë gjasa shumë më të mëdha për t’i treguar aftësitë e veta.

Kryeministri Gruevski theksoi se është mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria ia ofron Maqedonisë lidhur me eurointegrimet. “Vizita e sotme është një sinjal i fuqishëm politik se kryesia hungareze po angazhohet në mënyrë aktive për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së, që për ne paraqet nxitje të fuqishme për përmbushjen e mëtejme të reformave të domosdoshme për realizimin e qëllimit tonë kryesor strategjik – anëtarësimit të barabartë në BE”, theksoi Gruevski.

I pyetur për pritjet e tij lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni, kryeministri hungarez tha se këtu po qëndron si shef i Qeverisë hungareze, por tregoi gatishmëri nëse ftohet të marrë pjesë në fushatën e partisë simotër, VMRO-DPMNE-së, e cila është pjesë e familjes së partive djathtiste. Gruevski dhe Orban do të flasin edhe para pjesëmarrësve të Biznes-forumit të Maqedonisë dhe Hungarisë, i cili paraqet mundësi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Në kuadër të vizitës së Orbanit, sit u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë për bashkëpunim ekonomik.