Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 14:01

Shkup – Familjarët e të të cilësuarve si “të rrëmbyerit maqedonas” në Neproshten, si dhe familjarët e të keqtrajtuarve në rastin “Punëtorët e Mavrovës”, janë duke protestuar para Parlamentit.

Ata thonë se do presin para Parlamentit që t’u drejtohet dikush nga pushteti dhe t’u sqarohet ajo, “si që kishte premtuar kryeministri Nikolla Gruevski, se rastet e Hagës do zgjidhen përmes gjykatës”.

Ata kanë thënë se para tre javësh kanë kërkuar takim me Gruevskin, por thonë se askush nuk është përgjigjur në kërkesat e tyre. Në Parlamentin e Maqedonisë po vijon debati për miratimin e ligjit për interpretim autentik të ligjit për amnisti me të cilin do të mbyllet të ashtuquajturat rastet e Hagës që datojnë nga konflikti i vitit 2001.

Miratimi i këtij ligji së bashku me ligjin për përdorimin e flamurit dhe atij të gjuhës ishin tre kërkesat kryesore politike të cilat lideri i BDI-së Ali Ahmeti ia kishte adresuar Nikolla Gruevskit si parakusht për kyçjen e partisë së tij në koalicionin qeveritarë. Me interpretimin autentik të ligjit për amnisti do të mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm i cili daton që nga 2001-sha, ndërsa do të ndikojë në përmirësimin e raporteve ndëretnike në Maqedoni.

Përveç rastit Punëtorët e Mavrovës, me këtë ligj do të përfshihen edhe rasti për udhëheqësinë e ish UÇK-së, Penda e Likovës, të zhdukurit maqedonas. (LajmeShqip.com)

*********************************************************

Shkup, nis debati për amnistimin e UÇK-së

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë ka filluar sot debatin për miratimin e ligjit për interpretim autentik të ligjit për amnisti, që synon mbylljen e rasteve të Hagës të cilat datojnë që nga konflikti i vitit 2001.

Përveç rastit “Punëtorët e Mavrovës”, me këtë ligj do të përfshihen edhe rasti për udhëheqësinë e ish-UÇK-së, Penda e Likovës dhe të zhdukurit maqedonas.

Miratimi i këtij ligji, së bashku me ligjin për përdorimin e flamurit dhe atë të gjuhës, ishin tri kërkesat kryesore politike, të cilat lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ia kishte adresuar Nikolla Gruevskit si parakusht për kyçjen e partisë së tij në koalicionin qeveritar.

Përkundër kundërshtimeve të BDI-së, gjykatat e Maqedonisë ngritën proces gjyqësor kundër rastit “Punëtorët e Mavrovës”, në të cilin të akuzuar janë 22 persona, në mesin e të cilëve edhe ish-deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili.

Me interpretimin autentik të ligjit për amnisti, do të mbyllet një kapitull shumë i rëndësishëm i cili daton që nga 2001, ndërsa do të ndikojë në përmirësimin e raporteve ndëretnike në Maqedoni.

Ndryshe, pala maqedonase deri më tani kishte pasur shumë tentativa për procedimin e tyre, mirëpo për shkak të mungesës së argumenteve, përveç rastit “Punëtorët e Mavrovës”, deri më tani nuk ka aritur të ngre procedura gjyqësore. (LajmeShqip.com)