Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 15:24

Shkup – Të premten më 13 maj në Gjykatën Themelore 1 në Shkup do të vazhdojë seancat e radhë së procesit gjyqësor të Sopotit. Siç bëhet e ditur, kjo seancë do të jetë për Shaqir Sulejmanin, i cili vetë është dorëzuar në gjykatë dhe për Zenel Klaiqin, i cili po mbahet në paraburgim në Burgun e Shutkës.

Shaqir Sulejmani është njëri nga të akuzuarit që deri në fund të vitit të kaluar ishte në arrati, por që më vonë vullnetarisht u ishte dorëzuar organeve të drejtësisë.

Skënder Klaiqi, vëllai i dy të akuzuarve për procesin e Sopotit, Zenel Klaiqit, që po mbahet në paraburgim në Burgun e Shutkës dhe Hasan Klaiqit, që po mbahet në burg shtëpiak, thotë se të premten do të vazhdojë rigjykimi edhe për Zenelin dhe ku duhet të marrin pjesë edhe të akuzuarit tjerë që janë në burg shtëpiak.

“Të premten do të duhet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve të procesit të Sopotit, ku do të jetë edhe Zenel Klaiqi, i cili po mbahet në Burgun e Shutkës. Në këtë seancë gjyqësore do të duhet të shkojnë edhe të akuzuarit që po mbahen në paraburgim shtëpiak. Do të shohim si do të rrjedhë procesi gjyqësor. Gjithçka ka mbetur në dorë të gjyqit se si do të vendosë”, ka thënë Skënder Klaqi.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se avokati mbrojtës i Shaqir Sulejmanit, Naser Raufi ka theksuar se kërkon që në seancën të së premtes të marrë dritë jeshile kërkesa për masën e arrestit shtëpiak për Shaqir Sulejmanin.

”Ne presim që të ketë një ndryshim të masës së paraburgimit dhe shqiptimin e masës së paraburgimit shtëpiak, sikur në rastin e katër të tjerëve që janë në arrest shtëpiak”, ka theksuar Naser Raufi, i cili për Shaqirin thotë se në periudhën kur ka ndodhur rasti në vitin 2003 në afërsi të Sopotit, ai as që ka qenë i pranishëm në fshatin e tij.

Rasti i Sopotit po ripërsëritet në gjykatat e Maqedonisë, pasi që një komision anketues parlamentar ka grumbulluar prova të reja duke e vlerësuar rastin si të montuar politikisht dhe për pafajësi të banorëve shqiptarë të këtij fshati.

Pas vendimit për rigjykim të rastit, nga vera e vitit të kaluar katër banorë të akuzuar e të dënuar të fshatit u lanë për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, një gjendet në burgun e Shutkës dhe gjashtë të tjerë janë në arrati.

Sulejman Sulejmani, Shaban Limani, Samet Lutfiu dhe Hasan Klaiqi, nga vera e vitit të kaluar po mbahen në arrest shtëpiak, kurse jo edhe Zenel Klaiqi i cili po mbahet në paraburgim në Burgun e Shutkës, ndërsa vullnetarisht ishte paraqitur në organet e drejtësisë Shaqir Sulejmani. Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini gjenden në arrati.

11 të akuzuarit e Sopotit në gjykimin e parë ishin dënuar me 157 vjet burg për vendosjen e një mjeti shpërthyes në dalje të fshatit Sopot, nga i cili humbën jetën dy pjesëtarë të trupave të NATO-s, të kontingjentit polak në vitin 2003 dhe një civil maqedonas.

Familjarët e të akuzuarve shpresojnë në një rigjykim të drejtë dhe presin që ata të lirohen nga të gjitha akuzat, pasi të gjitha argumentet e dala nga Komisioni Anketues janë në anën e tyre.