Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 16:11

Shkup – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka informuar të hënën se është arrestuar edhe i dyshuari i parë për vrasjen e Muhamet Jasharit (19 vjeç) nga Kondova. Ai ishte rrahur për vdekje nga ana e një 16-vjeçari në oborrin e shkollës së mesme “Zdravko Cvetkovski”.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ka thënë se te prokurori është dorëzuar akuza penale për vrasje, por se ajo pret vendimin përfundimtar nga organet e drejtësisë.

”Në stacionin policor është sjellë edhe i dyshuari i parë, 16-vjeçari Dorijan T, i cili që nga dita e premte ka qenë në arrati”, ka thënë nga ana tjetër, zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski. Nga MPB po ashtu kanë konfirmuar se kundër të njëjtit do të ngritët procedurë për vepër penale “vrasje”, kurse ndaj të dyshuarit të dytë S.G., (1992), përgjegjësi për asistim të veprës penale.

19-vjeçari Muhamet Jashari, ishte nxënës i vitit të katërt në shkollën e mesme të ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”. Muhameti humbi jetën tragjikisht një ditë më parë në oborrin e shkollës duke tentuar të shpëtojë shokun e tij Darko Ançev i cili ishte përfshirë në një zënkë me disa të rinj të panjohur. Por, për fat të keq pas sulmeve nga shufra hekuri nga grupi sulmues, Muhameti nuk ka arritur ti mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Qendrën emergjente.

Rastin e kanë dënuar të gjitha institucionet e vendit, por edhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Unioni i Nxënësve Shqiptarë të shkollave të mesme. Një seancë të jashtëzakonshme për rastin në fjalë ka mbajt edhe Këshilli i qytetit të Shkupit, të cilët kanë mbledhë këshilltarët për të diskutuar rreth rastit në fjalë.