Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 13:31

Shkup – Prej sonte në mesnatë, zyrtarisht fillon fushata e partive politike dhe pjesëmarrësve tjerë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 5 qershor.

Partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, gjatë 20 ditëve të ardhshme do të mund t’i prezantojnë programet e tyre para elektroratit dhe të elaborojnë s’e pse e kërkojnë besimin nga qytetarët.

Fushata do të zgjasë deri më 3 qershor në orën 24:00. Dita para zgjedhjeve është heshtje zgjedhore. Vendvotimet më 5 qershor do të hapen prej orës 7 deri në orën 19.

Qytetarët do të mund të zgjedhin midis 18 listave të kandidatëve që i konfirmoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional, në gjashtë njësi zgjedhore në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe tre për qytetarët e Maqedonisë, të cilët jetojnë jashtë shtetit.

Të drejtë vote kanë rreth 1,835 milionë qytetarë të Republikës së Maqedonisë, të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore.

Me qëllim të procesit zgjedhor korrekt dhe demokratik, 30 parti politike javën e kaluar nënshkruan Kodeks të sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare. Apel për sjellje korrekte zgjedhore dërguan SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe OSBE-ja, si dhe më shumë përfaqësues dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas paralajmërimeve të deritanishme, zgjedhjet do t’i vëzhgojnë 332 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut – ODIHR dhe 3.500 të Asociacionit qytetar MOST.