Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 15:35

Shkup – Të enjten partitë të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në datën 5 qershor do ta nënshkruajnë kodeksin për zgjedhje të drejta, iniciativën të cilën tani më tradicionalisht e organizon Instituti Nacional Demokratik.

Sipas paralajmërimeve nga shtabet partiake, të gjitha partitë do ta nënshkruajnë kodeksin. Dy partitë më të mëdha LSDM dhe VMRO-DPMNE se miratojnë çdo iniciativë e cila do të kontribuojë për zgjedhje të qeta dhe demokratike, ndërsa javën e kaluar edhe liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi aktivitetet e të cilëve ishin më problematike në zgjedhjet e më hershme, në iniciativë të ambasadorit shqiptar Albert Çeku dhe ambasadorit të SHBA-ve Filip Riker, nënshkruan marrëveshje në të cilën u pajtuan për sjellje korrekte në fushatën edhe në ditën e zgjedhjeve.

Gjithsesi analistët politikë nuk besojnë se në 5 qershor do të kemi zgjedhje të qeta dhe demokratike, këtë e dëshmuan edhe dhjetëra shtabe partiake të thyera të partive opozitare LSDM dhe të Bashkuar për Maqedoni edhe pse fushata zyrtarisht akoma nuk ka filluar.

Në nënshkrimet e liderëve politikë nuk besojnë as joqeveritarja “Civil”, aktivitetet e të cilës filluan këtë vikend me fushatën për preventivë të dhunës gjatë zgjedhjeve. Sipas njeriut të parë të “Civil”-it Xhabir Deralla edhe krahas të gjitha angazhimeve të krerëve partiak, është e qartë se incidente do të ketë. Madje, sipas tij, zgjedhjet në 5 qershor do të jenë më të këqija se ato në qershor të vitit 2008.

“Informacionet dhe vlerësimet tona se do të ketë dhunë dhe ajo që është më e frikshme se do të ketë përdorim të armëve siç kishte në zgjedhjet e fundit parlamentare. Presim që edhe sërish të kemi rivotim në disa vende zgjedhore. Mu për atë ne si organizatë tentojmë që në mënyrë preventive të veprojmë dhe sa është e mundur që sa më shumë ti zvogëlojmë këto rreziqe, Do të tentojmë që të ndikojmë tek qytetarët por çelësi është tek krerët partiak.

Incidentet nuk i bëjnë huliganët por ushtarët partiak me urdhër të liderëve, të cilët e kanë fjalën kryesore. Ndërsa para kamerave kinse angazhohen për qetësi por në shtabet i stimulojnë që të bëjnë dhunë”, ka thënë Deralla.