Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 08:10

Shkup – Misionet e BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të premten kanë dalur me një deklaratë të përbashkët lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Misionet ndërkombëtarë kanë ftuar Qeverinë dhe institucionet tjera relevante të sigurojnë që procesi zgjedhor të gëzojë besimin e të gjitha partive politike dhe, mbi të gjitha, besimin e qytetarëve, të cilët i inkurajojmë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike në ditën e zgjedhjeve.

“Ne, shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian dhe shefat e misioneve të NATO-s, të Organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 13 maj realizuam një takim me kryeministrin Gruevski për të diskutuar zgjedhjet parlamentare të caktuara për 5 qershor 2011, ashtu siç kemi ndërmarrë iniciativë për të takuar edhe liderët tjerë politik. Ftojmë të gjithë aktorët politik përgjegjës që të bëjnë çdo gjë brenda fuqive së tyre për të siguruar që zgjedhjet do të zbatohen në pajtim me standardet ndërkombëtare demokratike dhe pa frikësim e dhunë. Ne, gjithashtu, mirëpresim Kodin e mirësjelljes për zgjedhje të lira dhe të drejta që më 12 maj u firmos nga partitë politike, si dhe të gjitha obligimet tjera në këtë drejtim”, thuhet në mesazhin e përfaqësive diplomatike evroperëndimore. “Ne, përkrahim plotësisht Misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR)”, thuhet më tej në mesazhin e BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).