Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 13:41

Shkup – Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, në një intervistë për një gazetë serbe, ka thënë se është gjithnjë e më evidente se Serbia dhe Maqedonia do të duhet patjetër të ballafaqohen me masa të caktuara për shkak të numrit të madh të refugjatëve që janë paraqitur pas liberalizimit të vizave. “Vala e re e azilantëve të rrejshëm nga Serbia dhe Maqedonia posaçërisht në Belgjikë dhe Suedi është shkak për brengosje të madhe të vendeve anëtare të BE-së. Javët e fundit jemi dëshmitarë të keqpërdorimeve të mëtutjeshme të regjimit të vizave dhe arritjes së autobusëve me qytetarë nga këto dy vende të cilët kërkojnë azil. Është gjithnjë e më e qartë se Serbia dhe Maqedonia do të duhet të ballafaqohen me masa të caktuara. Nuk e përjashtoj mundësinë për kthim të sërishëm të vizave për qytetarët e njërit apo vendit tjetër. Disa vende anëtare propozojnë vendosjen e mekanizmit, me të cilin do të mundësohet suspendim i shpejtë i regjimit pa viza. Situata është shumë serioze dhe politikanët kompetentë duhet të veprojnë menjëherë”, ka thënë Fajon për gazetën “Vecernji Novost”. Por zv/kryeministri për çështjen e eurointegrimeve për Maqedoninë, Vasko Naumovski në një takim me ambasadorin e Hungarisë në Shkup, Ferenc Kekeshi, ka demantuar një gjë të tillë. “Nuk besoj se Republika e Maqedonisë është njëra ndër shtetet të cilës do t’i hiqet liberalizimi i vizave sepse si shtet dhe si institucione po tregojmë se vazhdimisht jemi të aftë të përballemi me të gjitha sfidat të cilat i bart ky proces, përkatësisht t’i parandalojmë të gjitha qëllimet për keqpërdorime të liberalizimit të regjimit të vizave”, ka thënë Naumovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve. “Republika e Maqedonisë nuk e fitoi liberalizimin e vizave si ndonjë dhuratë por e fitoi në bazë të detyrave të kryera konkretisht dhe rezultateve në të gjitha sferat reformuese, e posaçërisht sferat për të cilat është përgjegjëse Ministria e Punëve të Jashtme. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që të mos lejojmë që ky përfitim për qytetarët e Maqedonisë të rrezikohet në asnjë mënyrë”, ka thënë të shtunën zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Vasko Naumovski. Ai së bashku me ambasadorin hungarez Ferenc Kekeshi e promovoi Hungarinë, specifikat e saja dhe bashkëpunimin e deritanishëm të ndërsjelltë dhe mbështetjen të cilën Maqedonia e merr nga ky vend-anëtar i Bashkimit Evropian. Ai theksoi se ekzistojnë individë apo grupe të cilët do të donin ta rrezikojnë këtë përfitim dhe ta keqpërdorin këtë proces, megjithatë, siç tha, të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë do të bëjnë gjithçka është në kompetencat e tyre të mos vijë deri te ajo.Sipas Kekeshit, madje sistemi i Shengenit është një nga të arriturat e BE-së. “Hungaria ishte një nga mbështetësit e mëdhenj që Maqedonia dhe vende e rajonit t’i gëzojnë volitshmëritë e regjimit të lirë të vizave”, theksoi Kekeshi. Naumovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, tha se në Greqi deri më tani janë mbajtur shtatë apo tetë referendume kur është bërë fjalë për çështje të karakterit nacional të cilat do të duhet të vendosen nga të gjithë qytetarët.