Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 20:04

Shkup – Me përgjegjësinë më të madhe e them se jam boshnjak, jo shqiptar. Këtë në Parlament e ka bërë të ditur të hënën lideri i Ligës Boshnjake, Rafet Muminoviq, pas informacioneve se gjatë kandidimit për deputet në listën e përbashkët me BDI-në, ai nuk është deklaruar boshnjak, por shqiptar.

Ai ka pohuar se deklaratën me nënshkrim të vetin, që gjatë kandidaturës dërgohet te KSHZ-ja, e ka nënshkruar bllanko. “Me siguri bëhet fjalë për gabim teknik. Nuk dua të besoj se dikush ma ka mveshur këtë. Unë edhe deri tani kam bërë koalicion me BDI-në dhe askush nga unë nuk ka kërkuar ta ndërroj përkatësinë etnike”, ka thënë Muminoviq, duke thënë se këtë, siç e quan ai, “gabim teknik” do tentojë ta përmirësojë.

Nga ana tjetër, nga kabineti i kryeparlamentarit Velkjanovski komentojnë se sipas informacioneve që janë në listat evidentuese që deputetët vetë i dorëzojnë, “Muminoviqi është nënshkruar si boshnjak”.

Lideri i Ligës Boshnjake, Rafet Muminoviqi, ka qenë në listën me numër rendor 3 në njësinë zgjedhore numër 1, në koalicion me partinë e Ali Ahmetit, BDI. (LajmeShqip.com)