Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 19:10

Shkup – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka ngritur kallëzimet e para penale kundër personave që akuzohen për përfshirje në organizimin e udhëtimeve të azilkërkuesve. Sipas MPB-së, ndër personat e akuzuar është J.I., 52 vjeç, pronari i Agjencionit turistik “Putnik” nga Strumica si dhe S.M, 44 vjeç nga Kumanova, drejtues i një Agjencie turistike nga Kumanova. Siç bëhet e ditur personat e akuzuar nëpërmjet mashtrimit dhe formave të tjera kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, duke i mashtruar 26 qytetarë nga Strumica, me premtimin se do ti ndihmonin për të udhëtuar në Suedi për të kërkuar të drejtën e azilit. Sipas dokumentacioneve të grumbulluara nga hetimet, i akuzuari i parë nga Kumanova ka gjetur njerëz dhe ka grumbulluar para, ndërsa J.I., nga Strumica organizonte transportin. Disa nga personat e mashtruar më pas ishin kthyer në pikën kufitare me Hungarinë nga ana  e autoriteteve hungareze. Në një rast tjetër janë ngritur akuza ndaj dy personave nga Prilepi, të cilët përmes kompanisë së tyre “Axhi Nevzat”, pa të drejtën e licencës për kryerjen e transportit ndërkombëtar, kanë organizuar udhëtime në disa vende evropiane. MPB disa muaj më parë paralajmëroi se do të ndërmarrë masa ndaj të gjithë personave dhe subjekteve juridike-Agjenci turistike, që dyshohen për përfshirje në transportin ilegal të qytetarëve që kanë si synim kërkimin e statusit të azilit në vendet euro-perëndimore.