Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 11:02

Shkup – Gjykatësi i shkarkuar dhe ish kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkup, Jordan Mitrinovski ka vlerësuar se ka sjellë vendim ligjor kur ka vendosur që Bajrush Sejdiu të kalojë në arrest shtëpiak. Ai në konferencën për shtyp të enjten ka thënë se do të luftojë që drejtësia të dal në pah dhe se do të shtrojë ankesë për vendimin e Këshillit gjyqësor, i cili sipas tij është i pabazë. “Në vendimin tonë për lëndën e theksuar nuk ka kurrfarë pune dhe vendimmarrje joprofesionale dhe joligjore, por vetëm qasje profesionale dhe qasje në pajtim me të gjitha dispozitat, të cilat e zgjidhin institutin garanci dhe institutin arrest”, tha Mitrinovski. Sipas tij, gjatë procedurës në disa media në mënyrë të gabuar janë ndërruar tezat në raport me atë për çka ata si Këshill i Gjykatës së Apelit kanë vendosur për lëndët e theksuara, pasi që, siç shtoi “është e rëndësishme të sqarohet që të mundet njeriu i rëndomtë të kuptojë se çka më saktë është vendosur dhe se çka ka qenë lëndë e procedurës, që më pas është shtrembëruar në tezat e Gjykatës Supreme”.

“Ne më 6 dhjetor 2010 kemi vendosur me propozim nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit për garanci të ofruar prej 1.340.614 euro në këmbim me arrestin shtëpiak ose që të mbrohet në liri. Duke e pasur parasysh kohën e kaluar në arrest më shumë se dy vjet lartësia e garancisë e cila është më e lartë në historinë e jurisprudencës së Maqedonisë, si dhe gjendja shëndetësore e gruas dhe babit të të akuzuarit të cilët kanë nevojë për përkujdesje shtëpiake vendosëm ta pranojmë garanci dhe ta ndërrojë arrestin me arrest shtëpiak, e jo me liri”, ka thënë Mitrinovski. Sipas tij, Gjykata Supreme, “me ndërrim të pabazë të tezave në vendimin e saj të 10 dhjetorit të vitit 2010 ka vendosur sikur Gjykata e Apelit të ketë vendosur për vazhdimin e rregullt të arrestit”. Mitrinovski në takimin e të enjtes me gazetarët paralajmëroi ankesë për vendimin e Këshillit gjyqësor për shkarkimin e tij. Anëtarët e Këshillit gjyqësor, madje në seancën e një dite më parë në mënyrë unanime e shkarkuan nga funksioni gjyqësor, me sqarimin se Jordan Mitrinovski ka vepruar në mënyrë joprofesionale dhe të pandërgjegjshme kur e ka sjellë vendimin që Bajrush Sejdiu të kalojë në arrest shtëpiak.