Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 21:07

Shkup – Maqedonia nuk ka asgjë kundër që SHBA të rrisë interesin lidhur me kontestin maqedono-grek. Këtë e ka bërë të ditur të premten kryetari i Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski, pas takimit me deputetin e Australisë perëndimore, Xhon Hajd, i cili po qëndron në Shkup. Madje, një prononcim i tij vjen pas deklaratës së sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, dhënë pas përfundimit të vizitës së saj në Athinë.

“Bëjmë përpjekje serioze që të mundësojmë komunikim më të madh politik dhe besim të ndërsjellë mes Maqedonisë e Athinës. Presim që në të ardhmen, përpjekjet e tilla të vazhdojnë dhe njëherësh ta marrin edhe mbështetjen e KB-së, ndërsa nga ana e Athinës presim edhe në këto momente të rënda ekonomike të dëshmojë pragmatizëm më të madh në qasjen e çështjes”, ka thënë Milloshoski.

Ai ka thënë se më rëndësi është që Athina ta mbajë stabilitetin financiar dhe ekonomik që të mund të kontribuojë për tregtinë dhe stabilitetin në rajon.

“Në interes të Maqedonisë është që BE të ketë sukses me ndihmën që i ka dhënë Greqisë, ku në krizë financiare është gjendur për shkak të papërgjegjësive në sistemin e saj”, ka thënë ministri i MPJ-së në largim Milloshoski.