Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 06:37

Shkup – Lidhja socialdemokrate (LSDM), ka paralajmëruar se më 15 maj në protestë para Qeverisë, do ta promovojë koalicionin, kandidatët dhe programin zgjedhor, në vend të promovimit në Stadiumin e qytetit. Pasi që Ndërmarrja publike për ekonomizim me hapësirë banesore dhe afariste e refuzoi kërkesën për përdorimin e arenës “Filipi II i Maqedonisë” Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së, në konferencën për shtyp vlerësoi se me refuzimin e kërkesës qeveria pranoi se në zgjedhjet e ardhshme më 5 qershor do të pësojë humbje. “Jo rastësisht e refuzuan kërkesën e LSDM-së promovimin e kandidatëve dhe programin zgjedhor së bashku me qytetarët ta bëjmë në Stadiumin e qytetit në Shkup”, tha Petrov. “Nga qytetarët nuk mund të ikni. Sa do që ta keqpërdorni pushtetin, keni vetëm 35 ditë”, ka thënë Petrov. Ndërkohë, VMRO-DPMNE sërish ka dalë me akuza se LSDM përgatit alibi për humbjen e zgjedhjeve.

“Skema e Branko Cërvenkovskit, Radmilla Shekerinskës dhe Andrej Petrovit për krijimin e alibit me humbjen e radhës të zgjedhjeve është e qartë, ata nëpër vendvotimet tentojnë të bëjnë incidente që t’i nxijnë zgjedhjet. Pastaj njerëzit e lartpërmendur me ndihmën e avokatëve t’i ikin drejtësisë dhe në fund kreu i KSHZ-së Boris Kondarko t’i braktis procesin zgjedhor”, ka thënë zëdhënësi i VMRO-se Aleksandër Biçikliski.