Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 10:27

Shkup – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH) listën zgjedhore do ta vë në shqyrtim dhe në kontroll publik më 25 prill në të gjitha njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë dhe bashkësitë lokale në vend, ndërsa qytetarët në afat prej 10 ditësh, deri më 4 maj, do të kenë mundësi të kontrollojnë nëse gjenden ose jo në listën zgjedhore. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko ka thënë se të gjitha afatet vlejnë edhe për diasporën. Atje lista zgjedhore do të jetë në shqyrtim në përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat. Fushata parazgjedhore fillon më 16 maj, ndërsa përfundon më 3 qershor. Diaspora do të votojë më 4 maj. Ndërkohë, Kondarko ka sqaruar se qytetarët e Maqedonisë, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë vendit më së voni 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve do mund të paraqiten për të votuar. Për fushatën parazgjedhore diaspora do të njoftohet nëpërmjet tri gazetave më të mëdha në vendin ku jetojnë. “Lista zgjedhore me të gjitha ndryshimet e bëra që do të dalin nga shqyrtimi publik që do zgjasë deri më 14 maj. Në kalendarin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme janë parashikuar edhe afat për mbledhjen e nënshkrimeve nga ana e kandidatëve të mundshëm të pavarur, të cilët duhet të mbledhin 1 mijë nënshkrime, ndërsa afati është nga 25 prilli deri më 5 maj. Listat e kandidatëve për deputet nga partitë politike deri te KSHZ-ja, por edhe listat e kandidatëve për deputet nga diaspora duhet të dorëzohen deri më 5 maj, që është edhe dita e fundit për dorëzimin e tyre”, ka thënë Kondarko. Sipas tij deri më 10 maj KSHZ patjetër duhet të del me listën e vetme të bartësve të kandidatëve të listave, ndërsa 48 orë pasi që t’u konfirmohen listat e kandidatëve për deputet, partitë politike duhet të hapin xhirollogari për fushatën parazgjedhore.