Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 16:51

Shkup: Listat gati, gara fillon qysh tash

 

 

Shkup – Partitë politike janë kah fundi në përpilimin e listave të tyre me kandidatët potencialë për postin e deputetit. Kandidatët e tillë potencialë dhe bartësit e listave i ka publikuar edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM). Kjo parti ka bërë të ditur se në njësinë e 1 garon kandidatja për kryeministre e këtij subjekti, Radmilla Shekerinska.

Në njësinë e 2 bartëse do të jetë Ana Pavllovska-Daneva, në njësinë e 3 Stevço Jakimovski, në njësinë 4 bartës do të jetë Zoran Zaev, në njësinë e 5 Jani Makraduli, dhe në njësinë e 6 zgjedhore bartës do të jetë Stojko Paunovski.

Në këto lista nuk gjenden lideri i partisë Branko Cërvenkosvki, dhe funksionari i lartë i kësaj partie Vllado Buçkovski. Në njësinë e 1 zgjedhore nga kjo parti po ashtu do të jenë edhe Tito Petkovski, Gordan Georgiev, Natasha Savova, Igor Ivanovski, gazetari i TV A1 Safet Bishevac dhe Ivon Veliçkovski.

Në njësinë e 2 zgjedhore vend do ketë edhe për Oliver Spasovski, Goran Minçev dhe Sonja Mirakovska. Në njësinë e 3 Marjanço Nikollov, Marinella Tusheva, Emilijan Stankoviq dhe Goran Misovski.
Në katërshe është paraparë edhe Andrej Petrovi, gazetarja e TV A1 Lençe Nikollovska si dhe Panço Orcev, Goran Sugarevski, Cvetanka Ivanova. Ndërkohë, në njësinë e 5 zgjedhore fjalën do ta ketë edhe Fijat Canoski, Vesna Bendevska, Mitre Velanovski, Erdogan Sraç.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tanimë ka zbardhur emrat e kandidatëve. Kryesia Qendrore e kësaj partie ka harmonizuar qëndrimet e saj rreth kandidatëve për deputetë.

Burime të larta brenda BDI-së, mësohet se në njësinë e 1 zgjedhore kjo parti ka shpallur si bartës, kreun e komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në njësinë e 2 Ermira Mehmetin, në njësinë e 3 Bujar Osmanin në njësinë e 5 Musa Xhaferin dhe në njësinë e 6 lideri i partisë Ali Ahmeti. Demokracia e Re (DR) edhe pse nuk i kanë bërë publike emrat, mësohet se në njësinë e 1 si bartës do të jetë kreu i kësaj partie Imer Selmani, në njësinë e 2 bartës do të jetë kryetari aktuali i komunës së Haraçinës Bastri Bajrami. Pas tij radhitet Abedin Zymberi. Flora Kadriu do të jetë bartëse në njësinë e 5 ku do të garojë edhe Arjanit Hoxha, ndërsa në njësinë e 6 flitet se bartës do të jetë Sulejman Rushiti.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka njoftuar se emrat zyrtarisht do të bëhen të ditur ditën e fundit, gjegjësisht më 5 maj, kur edhe skadon afati i dhënë nga Komisioni Shtëtërorë Zgjedhor (KSHZ). Por, burime nga kjo parti bëjnë të ditur se në njësinë e 1 zgjedhore bartës do të jetë Bekim Fazliu, kurse pas tij do të radhiten Mirushe Hoxha dhe Azem Sadiku.

Në njësinë e 2 bartës do të jetë Valon Bela, kurse pas tij Ragmi Sahiti. Në njësinë e 5 renditja do të jetë siç vijon: Arbër Xhaferi, Mendi Qyra, Zijadin Sela, Garip Kaba. Kurse në njësinë e 6 sipas të gjitha gjasave bartës do të jetë lideri i partisë, Menduh Thaçi, ndërsa vijojnë Sadi Bexheti, Merale Uzeiri-Ferati, Metin Izeti, Imer Aliu, Sadije Iljazi e Luan Tresi.

Te Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) mësohet se janë siguruar vetëm emrat e bartësve. Në njësinë e 1 do të garon Nuhi Aliu, në njësinë e 2 Selver Jashari, në të 5 Shpëtim Pollozhani, dhe në njësinë e 6 do të jetë lideri i kësaj partie Rufi Osmani. Kurse tek VMRO-DPMNE-ja edhe pse zyrtarisht nuk janë publikuar emrat, edhe nga kjo parti thonë se lideri i kësaj partie ka bërë “aminin” e fundit rreth emrave.

Në njësinë e 1 garon vetë lideri i kësaj partie, Nikolla Gruevski, në njësinë e 2 do të jetë Gordana Jankullovska, i shoqëruar nga spikeri i Parlamentit Trajko Veljanovski, deputeti aktual Petar Pop Arsov, dhe Zoran Petrevski. Në njësinë e 3 bartës tradicionalisht është Vllatko Gjorçev, i shoqëruar nga Silvana Boneva. Në njësinë e 4 bartës do të jetë, Mile Janakievski, në njësinë e 5 bartës do të jetë Antonio Milloshoski dhe Zoran Konjanovski. Kalkulimet e fundit bëhen për njësinë e 6 zgjedhore ku edhe për partitë maqedonase nuk është shumë atraktive, sepse aty dominon popullata shqiptare.

Partia e ish kryeministrit Lubço Georgievski, VMRO-Popullorja ka bërë të ditur se bartës në njësinë e 1 do të jetë, Vllatko Andonovski, në njësinë e 2 Lupço Ballkovski, në njësinë e 3 Marjan Dodovski, në njësinë e 4 Mile Jakimovski, ndërsa në njësinë e 5 bartës do të jetë lideri joformal i kësaj partie, Lupço Georgievski dhe në njësinë e 6 Dragan Davitkovski.                                                               Partia Liberale do të jetë me emrat standard Jovan Manasievski, Andrej Zhernovski, Nano Ruzhin, dhe Risto Penov. Kurse nga partia ‘Të Bashkuar për Maqedoni’ të Lube Boshkovskit, bëjnë të ditur se do të garojnë me emrat si në vijim: Lube Boshkovski në njësinë e 3, pastaj Velo Markovski, Borçe Dankov dhe Biljana Kostadinovska.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) sipas të gjitha gjasave garon në njësinë e 6 zgjedhore me liderin e saj, Bardhyl Mahmuti. Xhezair Shaqiri–Hoxha i cili javën e kaluar iu bashkëngjit BDSH-së bartës liste do të jetë në njësinë e 2 zgjedhore, kurse Daut Rexhepi – Leka supozohet se mund të jetë si i dyti në njësinë 6 zgjedhore.