Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 19:45

Shkup – Nga 20 personat e arrestuar në aksionin “Monstrum”, 13 janë liruar, ndërsa ndaj katër të tjerëve është ngritur akuzë vetëm për armëmbajtje pa leje. Vetëm për tre të arrestuar është ngritur aktakuzë për terrorizëm, si dhe për dy të tjerë që janë në arrati, njofton Alsat.

Policia ka lëshuar fletëarrest ndërkombëtar për Alil Demirin, i lindur në vitin 1985 dhe Afrim Ismailoviq, i lindur në vitin 1980, ndërsa tre të tjerët që janë në arrest për veprën e njëjtë janë Agim Ismailoviq, Rami Sejdi 24 vjeç dhe Fejzi Haziri 54 vjec të gjithë nga Shkupi.

Nga paraburgimi u liruan  Besim Hajdari, Muamer Qamilovski, Mirvet Muameti, Rushit Bardhi, Zendel Xhemaili, Mirvet Ismailoviq, Sureja Asipi, e moshuara 60 vjeçare nga Hotla e Likovës Feride Bilalli dhe  Kimete Demiri. 

Ndryshe edhe sot MPB nuk prezantoi para opinionit dëshmi për të akuzuarit dhe sasinë e madhe të armatimit të cilin pretendon ta ketë sekuestruar gjatë aksionit “Monstrum” të  1 majit.  Madje ministrja Jankullovska pranon se në mesin e armatimit të gjetur nuk janë ato që janë përdorur në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë.

Më 1 maj në aksionin policor Monstrum u bastisën 26 objekte dhe u arrestuan 20 persona në pjesë të ndryshme të qytetit të Shkupit pjesa më e madhe e tyre nuk kishin lidhshmëri farefisnore e as shoqërore. Në aksionin morën pjesë rreth 800 pjesëtarë të forcave speciale. (LajmeShqip.com)