Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 11:15

Shkup – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë seancën pas ekspozesë së mandatarit Nikolla Gruevski. Konform Rregullores për punë të Kuvendit, pritet zgjedhja e qeverisë të kryhet më së voni deri në mesnatë.

Mandatari, Nikolla Gruevski në ekspozenë e tij 15-minutëshe para deputetëve theksoi se pesë prioritetet, të cilave do t’u kushtohet qeveria e re në mandatin e ardhshëm janë rritja e zhvillimit ekonomik dhe e punësimeve, integrimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe investim në arsim, shkencë dhe teknologji informatike.

Deputetët e shumicës parlamentare vlerësuan se propozimi i mandatarit Gruevski e meriton besimin për shkak të arriturave deri më tani dhe vendosshmërisë që të arrihet akoma më shumë për çka ekzistojnë shumë shembuj, ndërsa sipas opozitës bëhet fjalë për qeveri të re-të vjetër, e cila nuk jep kurrfarë garanice për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë, ndërsa programi që duhet të realizohet është i njëjti sikur ai paraprak.

Votimi për zgjedhje të qeverisë kryhet sipas Propozimit për përbërje të qeverisë në tërësi me votim publik.

Mandatari, përkatësisht kryeministri tashmë i zgjedhur, në Kuvend do t’i parashtrojë emrat e zëvendësministrave, të cilët do të zgjedhen në mbledhjen kuvendore që do të caktohet për të premten në mesditë.

Nikolla Gruevski i cili është kryeministri i gjashtë që nga pavarësia e Maqedonisë, për herë të tretë fiton mundësinë të formojë qeveri pasi që VMRO-DPMNE-ja fitoi në zgjedhjet në vitet 2011, 2008 dhe 2006.

Në përbërjen e re qeveritare për zëvendëskryeministra janë propozuar Musa Xhaferi, Teuta Arifi, Zoran Stavreski dhe Vladimir Peshevski. Stavreski njëkohësisht do ta kryejë edhe funksionin ministër i Financave.

Valon Saraçini do ta udhëheqë resorin e Ekonomisë, ndërsa ministri i deritanishëm Fatmir Besimi kalon në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ekologjinë do ta udhëheqë Abdilaqim Ademi, Vetëqeverisjen Lokale Nevzat Bejta, ndërsa ministër i Drejtësisë do të jetë Blerim Bexheti.

Gordana Jankullovska propozohet të mbetet ministre e Punëve të Brendshme, përderisa Ministrinë e Kulturës edhe më tej do ta udhëheqë Elizabeta Kançeska-Milevska.

Nikolla Poposki, ambasador i deritanishëm në BE, do të kryesojë me diplomacinë e Maqedonisë, Nikolla Todorov do të kryesojë me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa minsitër i ri i Arsimit dhe Shkencës nga radhët e VMRO-DPMNE-së është propozuar Pançe Kralev. Ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike mbetet Ivo Ivanovski, si dhe Mile Janakieski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ministria e Bujqësisë edhe në këtë përbërje i takoi partisë Socialiste dhe do të vazhddojë ta kryesojë Lupço Dimovski. Minsitër i Punës dhe Politikës Sociale do të jetë Spiro Risteski, i cili deri më tani ishte zëvendësminsitër në këtë resor.

Ministra pa resorë mbeten Nezhdet Mustafa, Hadi Nezir dhe Vele Samak, ndërsa mandatari e plotësoi përbërjen edhe me një ministër pas dikaster Bil Pavlevs. (LajmeShqip.com)