Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 18:55

Shkup – Kriza ekonomike në Greqi mund të zhvendos në plan të dytë problemin me emrin e Maqedonisë. Sipas analistëve në Shkup, për momentin lidershipi grek ka një prioritet të vetëm dhe ai është: Si të dilet nga kriza ekonomike, në të cilën gjendet Greqia. Analisti Albert Musliu ka thënë se kriza greke jo vetëm që do ta shtyjë zgjidhjen e çështjes së emrit, por do të sjellë edhe komplikime të mëtejshme. “Kryeministri grek, kurrsesi nuk do të pranoj një kompromis të pakapshëm për palën greke, pasi kjo do të ishte goditja e dytë për të”, ka thënë Musliu, duke shtuar se vendet e Bashkimit Evropian nuk do t’i bëjnë presion partnerit të tyre të vjetër, për një shtet siç është Maqedonia. Ndërsa analisti dhe ish ministri i jashtëm maqedonas, Lubomir Fërçkovski ka thënë se kriza ekonomike greke ka efekt sekondar në problemin e emrit. Sipas tij problemi kryesor për zvarritjen e kësaj çështjeje qëndron tek pala maqedonase së cilës i mungon vullneti për negociata serioze me palën greke.

“Tek ne, problemi me emrin është më tepër mungesë e vullnetit tek pala maqedonase për të hyrë në bisedime dhe për të realizuar interesat e veta  kombëtare, në të cilën do të bisedon dhe do të gjejë zgjidhje. Ky është problemi kryesore dhe në këtë mënyrë kriza greke mund të komplikojë situatën vetëm nëse bie Papandreu dhe e humbim atë që ndërkombëtarët e quajnë ‘momentum Papandreu’, si variant më pozitiv në bisedimet për emrin”, ka thënë ai.

Shkupi dhe Athina janë në mosmarrëveshje që kur shteti maqedonas shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia, në vitin 1991. Greqia ka bllokuar Maqedoninë për t’iu bashkuar Unionit Evropian dhe NATO-s derisa të ndryshojë emrin, i cili është i njëjtë me atë të një province veriore greke. Athina thotë se përdorimi i atij emri nënkupton pretendim ndaj territorit grek.