Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 06:41

Shkup – Kina nuk publikon thirrjen publike për zgjedhje për shkak se sipas ligjeve kineze, nuk lejohen shpallje në gjuhë tjera përpos se në kinezisht. Kurse Greqia për shkak se në fillim të shpalljes shkruan “Republika e Maqedonisë”. Me këtë, komisioni me 6 vota “për” dhe 1 “kundër” ka miratuar vendimin që Ministria e Jashtme ta zgjidh në mënyrë të pavarur këto probleme.

“Mendoj se MPJ është drejtuar në adresë të gabuar, KSHZ nuk është kompetente të gjykojë se çfarë emri do të përdor Greqia. Komisioni Shtetëror Zgjedhor e respekton Kodin Zgjedhor dhe kemi marrë të gjitha aktivitetet që në dokumentet tonë dhe në komunikimin tonë me Ministrinë e Jashtme është përdorur emri kushtetues i Maqedonisë”, ka thënë Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.

Sipas anëtarëve të komisionit problemi gjithashtu duhet zgjidhur me anë të një takimi mes Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka propozuar ligjin dhe Ministrisë së Jashtme.

“Ne mund vetëm t’i udhëzojmë në obligimet e tyre ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe të tregojnë se kjo është puna e tyre dhe duhet të veprojnë sipas ligjit. Kjo do të thotë se MPJ duhet të gjejë mënyrë se si të publikojë thirrjet publike që qytetarët të mund të informohen dhe të regjistrohen për votim”, ka thënë Boris Kondarko, kreu i KSHZ-së. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH) listën zgjedhore do ta vë në shqyrtim dhe në kontroll publik më 25 prill në të gjitha njësitë rajonale të Ministrisë së Drejtësisë dhe bashkësitë lokale në vend, ndërsa qytetarët në afat prej 10 ditësh, deri më 4 maj, do të kenë mundësi të kontrollojnë nëse gjenden ose jo në listën zgjedhore.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko ka thënë se të gjitha afatet vlejnë edhe për diasporën. Atje lista zgjedhore do të jetë në shqyrtim në përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat. Fushata parazgjedhore fillon më 16 maj, ndërsa përfundon më 3 qershor. Diaspora do të votojë më 4 maj. Ndërkohë, Kondarko ka sqaruar se qytetarët e Maqedonisë të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë vendit më së voni 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve do mund të paraqiten për të votuar. Për fushatën parazgjedhore diaspora do të njoftohet nëpërmjet tri gazetave më të mëdha në vendin ku jetojnë.

Ndryshe, sipas vlerësimeve të KSHZ-së, nga mjetet e përgjithshme, rreth një milion e dyqind mijë euro do të shpenzohen për nevojat për votimin e diasporës në zgjedhjet e parakohshme.