Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 08:59

Shkup – Kryetari i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Osman Kadriu ka dhënë dorëheqje në funksionin e deritanishëm. Dorëheqja e tij ka ardhur një ditë pasi Komiteti i Helsinkit, përmes një komunikate për shtyp kundërshtoi vendimin e Parlamentit  të Maqedonisë, i cili më 19 korrik miratoi interpretimin autentik të ligjit për amnisti, me çka mbylli rastet e Hagës. Kadriu ka theksuar se, është detyruar ta ndërmarr këtë hap pasi si kryetar i organizatës nuk është njoftuar për komunikatën, duke u anashkaluar kështu nga organet e Komitetit të Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit, të premten përmes një komunikate, e kundërshtoi miratimin e amnistisë. “Për krime kundër njerëzimit, nuk mund të ketë amnisti. Askush në asnjë rast nuk mund të amnistohet për shkelje të rënda të të drejtës ndërkombëtare humanitare”, thuhej në komunikatën e Komitetit të Helsinkit. Ndërkaq, ndaj kësaj deklarate i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Në reagimin e BDI-së thuhet se, ”në kohën kur institucionet dhe autoritetet ndërkombëtarisht të besueshme përshëndetëshin të drejtën burimore të Parlamentit të bëjë interpretim autentik të ligjeve që i ka sjell vetë, Komiteti, në cilësinë e Komiteteve të dikurshme, transmeton perceptime dhe tendenca që drejtpërdrejt prekin dhe rrezikojnë stabilitetin politik, marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionimin e institucioneve”.